E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter-Barcelona, numrat e sfidës

www.albania-sport.com - Interi do të presë në “San Siro” kampionët në fuqi të Barcelonës, në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve. Katalanasit synojnë të bëhen skuadra e parë që fiton dy tituj rresht qysh prej 20 vjetësh, sipërmarrje që për herë të fundit e ka realizuar Milani. Interi, përkundrazi, nuk luan një finale të Ligës së Kampioneve nga viti 1972, por më përpara duhet të shënoj një gol kundër Barçës e që i mungon në katër takimet direkt midis tyre.

Për herë të dytë gjatë këtij sezoni, Zlatan Ibrahimoviç dhe Maksuell do të rikthehen në ish-stadiumin e tyre për tu përballur me zikaltërit, që nga ana e tyre kanë tre ish-lojtarë të Barcelonës, Samuel Eto’o, Tiago Mota dhe Rikardo Kuarezma.

Prania e Hoze Murinjos evokon të tjera kujtime: tekniku, në fakt, ka qenë ndihmëstrajner te Barcelona, për të mos përmendur sfidat me profil të lartë kundër katalanasve, kur trajneri aktual i Interit ishte në bankinën e Çelsit.

Gjatë muajit shtator, Barcelona barazoi 0-0 në Milano. Një garë shumë tërheqëse, ku asnjë nuk doli i humbur, por dhe që tregoi pathyeshmërinë e të dy ekipeve gjatë sezonit 2009-2010: Interi nuk ka humbur kurrë në shtëpi, Barcelona e Pep Guardiolës është e pathyeshme në transfertë.

PRECEDENTËT

Skuadrat nuk kanë nevojë për prezantim, duke parë dhe predendentët sezonalë. Ndeshja e 16 shtatorit në “San Siro” u mbyll në barazim 0-0, ndërkohë që më 24 nëntor Barcelona iu imponua zikaltërve me një 2-0, falë golave të realizuar në pjesën e parë nga Zherard Pike dhe Pedro Rodriguez.

Inter dhe Barça janë përballur edhe në fazën e dyteë të grupeve në Ligën e Kampioneve 2002-2003. Më 18 shkurt 2003, Barcelona fitoi 3-0 në “Kamp Nou” me rrjetat e Havier Solanës, Filip Kokusë dhe Patrik Klajvert, duke shënuan fitoren e nëntë rresht në Ligën e Kampioneve, deri tani një rekord në kompeticion, duke përjashtuar ndeshjet kualifikuese.

Ndeshja e kthimit u mbyll 0-0, por të dyja skuadrat u kualifikuan për në çerekfinale. Edhe pse Barcelona fitoi grupin, ishte Interi ai që shkoi më larg, duke mbërritur në gjysmëfinale. Havier Zaneti, Karles Pujol dhe Ksavi Hernandez luajtën në të dyja ndeshjet, ndërkohë që Andres Iniesta ishte në bankinë në “San Siro”.

HISTORIA

Interi ka ambicien të fitojë një Ligë të Kampioneve që i mungon nga triumfi në vitet 1964 dhe 1965 dhe mund të llogarisë besimin mbi statistika pozitive: nuk ka humbur asnjë gjysmëfinale në shtëpi në këtë kompeticion. Gjatë këtij sezoni, zikaltërit janë të pathyeshëm në “San Siro”, ku kanë regjistruar tri fitore dhe dy barazime.

Faktori “Murinjo”

Rezultatet e Murinjos në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve janë të ndryshme. Në vitin 2004, fitoi me Porton kundër Deportivo La Korunjës, por me Çelsin u eliminua në vitin 2005 dhe në vitin 2007. Murinjo shpreson të udhëheqë Interin në fitoren e Ligës së Kampioneve pas triumfit të tij gjashtë vjet më parë me Porton. Vetëm Ernst Hapel (Fejenord 1970, Hamburger 1983) dhe Otmar Hitcfeld (Borusia Dortmund 1997, Bajern Munih 2001) kanë mundur ta fitojnë trofeun me dy skuadra të ndryshme. Këtë vit do ta provojë edhe Luis van Gal i Bajernit, fitues me Ajaksin në vitin 1995. Hoze Murinjo ka pasur rolin e asistentit të Bob Robsonit dhe Luis van Galit te Barcelona nga 1996 deri në vitin 2000. Si trajner i Çelsit ka një bilanc 5-4 kundër Barclonës në një të tetat e sezonit 2004-2005, por u mund 3-2 në total në të njëjtën fazë në sezonin pasardhës. Të dyja skuadrat u përballën edhe një fazën e grupeve në sezonin 2006-2007 me Çelsin përpara Barcelonës: fitore 1-0 në shtëpi, barazim 2-2 në transfertë.

GUARDIOLA
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka luajtur në Itali nga viti 2001 deri në vitin 2003, duke koleksionuar 24 paraqitje me Breshian dhe katër me Romën.

Numrat e Interit

Interi ka luajtur shtatë gjysmëfinale në kompeticionin më të rëndësishëm europian, ku ka një bilanc prej katër fitoresh dhe tri humbjesh. Interi ka humbur dy gjysmëfinale kundër Realit të Madridit, megjithatë zikaltërit kanë fituar Kupën e parë të Kampioneve, pikërisht kundër Realit, kur e mundën atë 3-1 në vitin 1964 në Vjenë. Interi ka humbur vetëm një nga 17 ndeshjet e zhvilluar në shtëpi kundër skuadrave spanjolle, duke koleksionuar tetë fitore dhe tetë barazime. Gjithsesi, në raport me kualifikimet, janë spanjollet ato që janë me bilanc pozitiv: katër fitore dhe nëntë humbje.


Numrat e Barcelonës
Barcelona ka koleksionuar një fitore dhe katër barazime në transfertë gjatë këtij edicioni të Ligës së Kampioneve. Humbja e fundit jashtë (pa ndeshjet kualifikuese) ka ndodhur në gjysmëfinalet e edicionit 2007-2008 kundër Mançester Junaitid. Barcelona ka luajtur dhjetë gjysmëfinale dhe bilanci është në barazim perfekt, pesë me pesë. Barcelona nuk ka mundur të shënojë në katër ndeshjet e fundit në shtëpi. Me bluzën e Barcelonës, trajneri Guardiola ka eliminuar Porton në gjysmëfinalen e sezonit 1993-1994, që luhej me një ndeshje. Në sezonin 1991-1992, përkundrazi, gjysmëfinalet nuk ishin të parashikuara. Barcelona do të luajë transfertën e tetë në “San Siro”, ku deri tani ka koleksionuar dy fitore, tre barazime dhe dy humbje. Barça ka luajtur për herë të parë në Milano në gjysmëfinalen e vajtjes në Ligën e Kampioneve 2005-2006 kundër Milanit, duke fituar 1-0 me golin e Lydovik Zhyli në minutën e 57-të. Formacioni katalanas ka fituar dy gjysmëfinale të Kupës së Kupave kundër dy skuadra italiane: Fiorentinë në vitin 1997 dhe Juventusin në vitin 1991. Bilanci i Barcelonës në transfertat në Itali numëron pesë fitore, gjashtë barazime dhe katër humbje. Barcelona ka fituar Kupën e parë të Kampioneve kundër një skuadre italiane, Sampdorias, duke fituar 1-0 në vitin 1992 në “Uembli” të Londrës. Në vitin 2004, megjithatë u shkatërrua 4-0 nga Milani. Blaugranasit fituan finalen e vitit të kaluar në Romë, duke mundur 2-0 Mançester Junaitid.


Militot, dy vëllezër kundër njëri-tjetrit

Inter-Barcelona nuk është vetëm një sfidë italiano-spanjolle, por dhe një çështje e brendshme argjentinase, madje familjare. Sulmuesi i Interit, Diego Milito, 30 vjeç, mund të gjejë përballë vëllain e tij 29 vjeçar, Gabrielin. Të dy kanë luajtur së bashku për dy sezone te Real Saragoza midis viteve 2005 dhe 2007. Samuel Eto’ ka luajtur për pesë sezone me Barcelonën, duke u nisur nga viti 2004. Sulmuesi kamerunas ka shënuar 109 gola në 144 ndeshje në kampionat, nga të cilat 30 sezonin e kaluar. Në Ligën e Kampioneve ka shënaur 18 gola në 43 ndeshje, duke hyrë edhe tabelën e golashënuesve edhe në finalet e fituara në vitin 2006 dhe 2009. Tiago Mota ka luajtur 96 ndeshje kampionati me Barcelonën nga viti 2002 deri në vitin 2007, duke shënaur gjashtë gola. Qëndroi në bankinë në fitoren 2-1 në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Arsenalit në vitin 2006.


Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Hene, 19 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›