Inter-Roma, në arenë dalin edhe dy trajnerët
Pasi është larguar aroma eliminatorëve të Botërorit 2010, Seria A ndez motorët, ndërsa vëmendja është e përqendruar se supersfida e mbrëmjes së sotme, Roma-Inter. Gjatë gjitha javës nuk kanë munguar deklaratat, të cilat e kanë ngarkuar atmosferën e pragndeshjes, ndërkohë dje në arenë kanë zbritur dy trajnerët e skuadrave përkatëse. Luçiano Spaleti i verdhekuqve ka bërë të ditur se ka grumbulluar Francesko Totin, rikthimi i të cilit ka ardhur si një rreze drite në një qiell të mbyllur. Kapiteni duket se do të jetë një 11-shen që do të luajë ndeshjen e madhe. Spaleti është optimist: "Romës nuk i mungon asgjë për të mundur Interin. Ne i dimë vlerat tona dhe forcën tonë dhe prandaj duam të rikthehemi në nivelet e larta sa më shpejtë që të jetë e mundur". Por nuk i shpëton as argumentit Murinjo, për të cilin lëshon edhe një batutë: "Nuk e kam aspak zili, thotë ai, edhe pse e vlerëson portugezin. Është i zgjuar, ka fituar shumë, di të bëjë ta respektojnë dhe ka personalitet. Skuadra e tij është ekip kompakt, që luan një futboll mjaft modern". Por, nga ana tjetër, kundërpërgjigjet trajneri i Interit, Hoze Murinjo: "A kam frikë nga Roma? Nuk e di çfarë do të thotë frikë. Mund të fitojmë sot, edhe pse nuk është një ndeshje deçizive". Por këtë herë ai e ka mbajtur sekret formacionin.