Bariç: Jam krenar për Shqipërinë
Barazimi pa gola i Shqipërisë në fushën e Portugalisë, ka bërë bujë në të gjithë kontinentin. Rezultati historik i kuqezinjve është përshëndetur edhe nga ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç. 76-vjeçari, i cili qëndroi në krye të stolit nga gushti 2006 deri më nëntor 2007, ka folur për mediat kroate, duke u shprehur krenar për atë që ka bërë përfaqësuesja në këto eliminatore. Në katër ndeshjet e para, Shqipëria ka marrë dy barazime 0-0 me Suedinë dhe Portugalinë dhe renditet e katërta në grup, me 5 pikë të grumbulluara. "Jam krenar për Shqipërinë", ishin fjalët e "plakushit" Bariç. "E them këtë, pasi edhe unë kam punuar me këtë Kombëtare dhe kam dhënë kontributin që skuadra të përmirësohet. Mund të them se kam punuar shumë atje dhe me largpamësi, duke hedhur bazat për ndërtimin e një grupi lojtarësh, që në të ardhmen do të ishin konkurrues përballë kujtdo kundërshtari". Trajneri kroat ishte shumë pranë rinovimit të kontratës me federatën, por pas humbjes 6-1 në takimin e fundit eliminator në Rumani, ai vendosi të largohej përfundimisht.