Shnajder e Roben, revanshi ndaj Real Madrid
MADRID- Finalja e së shtunës mes Interit dhe Bajernit të Mynihut do të vendosë përballë dy ish-futbollistë të Realit, që u larguan prej andej si të panevojshëm, por edhe dy miq të ngushtë si Shnajder e Roben. Nëse Florentino Perez i konsideroi të pavlefshëm, duke bërë një merkato galaktike, dy holandezët rezultuan zbulimet e këtij sezoni në Champions League dhe të shtunën kanë shansin t’i tregojnë Madridit dhe Perezit se largimi i tyre ka qenë një gabim. Si Murinjo, ashtu edhe Van Gal, e ndërtuan lojën e skuadrës së tyre pikërisht mbi këta futbollistë. Por, me largimin e Shnajder dhe të Roben, madrilenët kanë humbur shumë edhe në planin financiar. Shnajder u mor për 26 milionë euro nga Ajaksi dhe u shit tek Interi për 15 milionë. Ndërkohë, Arjen Roben u ble për 36 milionë euro nga çelsi dhe u largua për te Bajerni për 24 milionë euro. Uesli Shnajder rezultoi vendimtar për skemat e Murinjos, ndërkohë që Roben këtë sezon ka realizuar golat decizivë që çuan bavarezët deri në finale.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)