Inter fluturon ne finalen e Boterorit
Pasi fitoi Europën, eliminoi trupat aziatike të Seongnam, dhe tani mbetet të shqetësohet për një kontinent të tretë. Shpresat e Interit për fitimin e botës vazhdojnë: të shtunën luhet akti final ndaj afrikanëve e Mazembes. Stankoviç, Zaneti e Milito dërmojnë koreanojugorët, kundërshtarin që nuk ishte në nivel për ta rrezikuar. Të shtunën, testi kundër kongolezëve do të jetë më i vështirë dhe mund të vlejë promovimin për vitin 2010, si një vit perfekt. Të themi të vërtetën: nuk është se Interi luajti një ndeshje të paharrueshme. Nuk po shihet makina vdekjeprurëse që fitoi Championsin. Por vlen të fitosh, dhe Interi fitoi. Në këtë pikë loja është optimale dhe jo fondamentale. Lajmi i mirë është se mes golashënuesve rishitet Milito, Julio Sezar rikthehet ai i zakonshmi, Zaneti është ringjallur në krah, Stankoviç demonstron grinte dhe nerv. Goli i Interit befason tifozët zikaltër që mbetën me gojë hapur. Eto’o driblon dy kundërshtarë dhe shërben për Militon. “Princi” frenon, por topi mbetet në hyrje të zonës, afrohet Stankoviç dhe lëshon një të majtë që përfundon në rrjetë. Për golat e tjerë mendojnë argjentinasit: dyfishon kapiteni dhe mbyll llogarinë Milito. Zaneti realizoi golin e sigurisë (32’), ndërsa Milito u jep fund koreanëve (73) Stankoviç është më i miri në fushë, në 4-2-3-1 e Benitezit, ku zuri vendin e Shnajderit të dëmtuar që në minutën e parë. I shkëlqyer ishte edhe Zaneti. Lusio lufton si zakonisht, Mota furnizon kualitet, por për momentin me ritëm të reduktuar. Mungojnë paksa idetë, shpesh hidhen përpara me shumë paqartësi, por tabela i jep të drejtë Benitezit. Mund të luajë finalen, mund të bëhet kampion bote. Edhe pse bankina e tij lëkundet. Por ama merr komplimentet pa rezerva të presidentit Morati: “Shumë i mirë ishte mënyra e lojës e aplikuar nga Benitez, e kishte përgatitur shumë mirë takimin. Edhe atë e pashë shumë të përqendruar te lojtarët. Ndeshja rrodhi mirë, luajtëm të kujdesshëm dhe demonstruam personalitet”. Ndërsa vetë tekniku spanjoll u shpreh: “U rikthyen lojtarët e rëndësishëm që na mungonin. Jam i kënaqur edhe pse mungon ende ritmi, por kemi më shumë kualitet. Finalja është shumë e rëndësishme për ne. Me lojtarët të tillë kam më shumë mundësi zgjedhjeje. Shnajder është të rikuperohet për finalen”.