Inter mëson nga gabimi

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka thënë se ekipi do të mësojë nga gabimi i turpshëm, kur inkuadroi përforcimin e ri, sulmuesin Diego Forlan në ekip për Ligën e Kampionëve, ndonëse ai nuk ka të drejtë loje. Forlan ka përfaqësuar Atletico Madridin në fazën kualifikuese në Europa League, andaj nuk ka të drejtë loje për Interin në garat evropiane deri së paku pas Vitit të Ri.
Por, Inter nuk e kishte kuptuar këtë dhe e inkuadroi në mesin e 25 futbollistëve të regjistruar në UEFA. Kjo nënkuptoi se nuk kishte vend në listë për sulmuesin tinejxher Luc Castaignos, ndërsa tani Inter nuk mund të inkuadrojë një futbollist tjetër. “Më vjen keq për Castaignosin sepse përndryshe do të kishte luajtur”, tha Moratti për të përditshmen sportive italiane Gazzetta dello Sport.
“Rasti i Forlanit është serioz dhe nuk është diçka që mund të rregullojmë, duhet të gjejmë mënyrën për t’iu shmangur përsëritjes së këtij rasti në të ardhmen”, shtoi kreu i Nerazzurrëve. Inter e solli Forlanin si zëvendësim për Samuel Eto’on e transferuar në Anzhi Makhachkala, duke llogaritur se uruguaiani do të jetë në dispozicion për Ligën e Kampionëve. Tani jo vetëm se reparti sulmues duket më i dobësuar pa kamerunasin Eto’o, por edhe do të kenë opsione të kufizuara sulmuese për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Moratti e kupton zemërimin e tifozëve, por thekson se shitja e Eto’os ishte e nevojshme.
“Tifozët janë shumë të ndjeshëm ndaj problemeve të mëdha dhe momenteve të vështira në të cilat e gjen veten klubi dhe sigurisht nganjëherë nuk mund të ndalin veten nga shprehja e pakënaqësisë. E kuptoj këtë, është njerëzore. Fair-play financiar detyron vendime të dhimbshme. Por, jam i bindur se prapë do të jemi të fortë. Do të ketë dyshime rreth sistemit të ri, por mendoj se ekipi është në rrugë të mirë”, tha ai. Moratti iu referua preferencës së trajnerit të ri Gian Piero Gasperimi me tre futbollistë në mbrojtje. Kjo ka shkaktuar brengosje në mesin e tifozëve të Interit, por Moratti beson se Gasperini meriton kohë për të funksionuar me skemat e tij.
“Ai do të jetë i suksesshme me evoluimin taktik që është duke zbatuar dhe nëse ndodh që nuk ka sukses, trajneri ynë është inteligjent, nëse ai mendon se është e nevojshme, do ta ndryshojë. Jam shumë optimist rreth ligës, ndërsa do t’i qasemi çdo ndeshjeje të Ligës së Kampionëve njëra pas tjetrës duke llogaritur vështirësitë tona atje. Gjëja më e rëndësishme është të mos hyjmë në fushë duke menduar se jeni kampion i botës. Në futboll është me rëndësi të jeni modest dhe të keni dëshirë të filloni sërish, madje me fitore edhe më të mëdha”, përfundoi Moratti.