E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ozil, gjermani më i mirë

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo thotë se Mesut Ozil është aktualisht futbollisti më i mirë gjerman. Ai thekson se është kënaqësi të luash së bashku me të për gjigantin madrilen. Përveç Ozilit, për sezonin e ri ai pret ndihmë edhe nga përforcimi i ri Nuri Sahin, ndërsa lavdëron kualitetet e Bundesligës gjermane, të cilën e rendit pas Premierligës dhe La Ligas. Nga Express më 10 shtator 2011 në ora 09:42

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij Mesut Ozil, duke thënë se ai është aktualisht futbollisti më i mirë gjerman.

Ozil depërtoi gjatë Kampionatit botëror 2010 dhe me paraqitjet e tij të shkëlqyeshme i ndihmoi Gjermanisë të përfundojë në pozitën e tretë në Afrikën e Jugut. Vizioni dhe shkathtësia e tij me top e detyruan Realin të paguajë rreth 15 milionë euro verën e kaluar për të siguruar shërbimet e tij nga Werder Bremen.

Ai u adaptua menjëherë në Santiago Bernabeu duke mbajtur yllin brazilian Leite Kaka në bankën rezervë. Pasi mori fanellën me numrin 10 për sezonin e ri, Ozil pritet që sërish të luajë rol të rëndësishëm për Los Blancos, diçka që e gëzon Ronaldon. “Mesut është futbollist i shkëlqyeshëm dhe është kënaqësi të luani pranë tij”, tha Ronaldo për Sport 1. “Ai është aktualisht futbollisti më i mirë gjerman”, shtoi reprezentuesi portugez.

Ozil nuk është i vetmi gjerman me etni turke anëtar i Realit, pasi gjiganti madrilen gjatë kësaj vere transferoi ish plejmejkerin e Borussia Dortmundit, Nuri Sahin për rreth 10 milionë euro. Derisa Sahin ende nuk ka bërë debutimin e tij për Realin për shkak të lëndimit, Ronaldo pret që reprezentuesi turk të ketë ndikim në edicionin e ri.

“E kam njohur Sahinin edhe para ardhjes së tij sepse flitej për kualitetet e tij. Shpresoj të kthehet së shpejti dhe t’i ndihmojë ekipit”, u shpreh ai. Ronaldo po ashtu beson se ndihma nga futbollistët si Ozil dhe ish mesfushori i Stuttgartit, Sami Khedira janë dëshmi për kualitetet e futbollit gjerman dhe e vlerëson Bundesligën më lart se Serie A të Italisë.

“Liga gjermane gjithmonë ka ruajtur shkallën e lartë. Ka shumë futbollistë të mirë që luajnë në Gjermani. Përveç Anglisë dhe Spanjës, Bundesliga gjermane është sigurisht më e forta”, përfundoi Ronaldo. Pas ndeshjeve ndërkombëtare, Reali vazhdon fushatën në La Liga kundër Getafes të shtunën, para përballjes në udhëtim te Dinamo Zagreb të mërkurën në fillimin e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›