Terri bën një tjetër zarar, shtyp me makinë një stjuard
Pasi ka humbur në fushë sfidën kundër Interit, e cila i ka detyruar “Blues”-at t’i thonë lamtumirë para kohe Champions League, Xhon Terri ka qenë protagonist i një episodi të pakëndshëm, menjëherë pas daljes nga “Stemford Brixh”. Prej disa kohësh Terri nuk është më vetvetja, pak a shumë që kur është zbuluar tradhtia me të fejuarën e Uein Brixh. Dhe mbrëmja e së martës nuk është një nga netët e tij. Si fillim ka ardhur eliminimi i çelsit nga dora e Interit. Pastaj krimi. Terri hipën në makinë në parkingun e “Stemford Brixh” së bashku me gruan, Toni, me të cilën është pajtuar në një mënyrë shumë të çuditshme, pas problemeve të fundit. Siç ndodh shpesh, makina e tij ka qenë e rrethuar nga tifozët e çelsit, që dëshironin të ngushëlloheshin me autografin e kapitenit të tyre. Gjynah që Xhon Terri as nuk ka ndaluar dhe ka vazhduar përpara, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Gjatë rrëmujës, anglezi ka shtypur një nga stjuardët (forcat e sigurisë) të “Stemford Brixh”, dhe më pas ka ikur sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Anëtari i sigurisë ia ka hedhur me disa shembje në këmbë, siç ka konfirmuar zyrtarisht vetë klubi. “Pasi ka marrë vesh për faktin, ka bërë të ditur vetë burimi në fjalë, Terri ka lajmëruar policinë për atë që ka ndodhur”. Por jo vetëm policinë. Xhon Terri menjëherë ka marrë në telefon edhe vetë stjuardin, duke i kërkuar falje. Përveç të tjerave, është pikërisht eksperienca ajo që të mëson se si të sillesh, pasi ke shkaktuar një gabim. Brixh një telefonatë të tillë akoma nuk e ka marrë. Gjithsesi, çelsi i ka thënë lamtumirë Champions-it.
#