E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani, tani mendon për titullin, Silvio Berluskoni fik televizorin

Eliminimi Mediat britanike nuk i kursejnë kritikat për kuqezinjtë: “Janë një skuadër pleqsh”

Shkatërrimi në “Olld Traford” përballë Mançester Junajtid dhe eliminimi nga Champions League kanë ngritur dyshime serioze për kualitetin e Milanit. Të përqendrohesh tek e ardhmja e skuadrës, pas disfatës në “Teatrin e ëndrrave” nuk është një detyrë e lehtë, as për një drejtues si Adriano Galiani. Administratori i “Djallit” u mundua që të minimizonte dështimin përballë skuadrës së Sër Aleks Ferguson. Pas humbjeve 4-0 në fushën e Junajtid dhe 3-2 në “San Siro” (dy ndeshjet u mbyllën me rezultatin e përgjithshëm 7-2 për Mançesterin, një turpërim i vërtetë për Milanin), Galiani tha: “Në këto dy ndeshje na kanë munguar shumë lojtarë të rëndësishëm, nuk mendoj se mund të kishim bërë më tepër se kaq”. Numri 2 i klubit u mundua që të fshihej pas çështjeve ekonomike (“kjo humbje lidhet me faktin se klubet angleze janë pronare të stadiumeve, ndërsa ato italiane jo”), pikërisht në mbrëmjen kur tifozët e “Red Devils” kanë protestuar kundër familjes Glejzër, e cila e ka zhytur Mançesterin në borxhe. Në fund, Galiani gjeti strehë në oazin e Serisë A, ku me diferencën prej 4 pikësh nga Interi kryesues, milanistët vazhdojnë të kenë shpresa për titullin: “Skuadrës i kam thënë se duhet të përqendrohemi menjëherë te kampionati”.

Zhgënjimi për paraqitjen e dobët të Milanit ishte i madh. Këtë e tregon më së miri veprimi i presidentit, Silvio Berluskoni, i cili nuk vazhdoi ta ndiqte më ndeshjen Mançester Junajtid-Milan, kur Uejn Runi shënoi golin e dytë për anglezët. Në fakt, me rezultatin 2-0, ai preferoi të fikte telefonin, për të evituar që të shihte pjesën tjetër të shkatërrimit. “Cili prej jush është tifoz i Milanit? - pyeti Kryeministri italian gjatë një darke me disa ambasadorë. A ju vjen keq nëse e fikim televizorin? Ndoshta do të ishte më mirë ta mbyllnim…”. Por, ajo që ka lënë shije të hidhur mes tifozerisë kuqezi është fakti se Berluskoni nuk është informuar as më pas për rezultatin final të takimit. Ndërkohë, mediat angleze i kanë bërë jehonë fitores së Junajtid. “Runi udhëheq Mançesterin drejt fitores përballë Milanit të pafat”, shkruante “Guardian”, që i cilësonte lojtarët kuqezinj “pleq dhe të papërshtatshëm”. Ndërsa “Daily Telegraph” ironizonte: “Nëse Juventusi është ‘Zonja e Vjetër’, Milani është ‘Zotëria i Vjetër’”. “The Sun”, shtynte Runin, që aktualisht numëron 30 rrjeta në të gjitha aktivitetet, drejt rekordit të golave me klubin, për të kaluar 42 rrjetat e Kristiano Ronaldos në edicionin 2007-’08. “Roo can do it”, ose “Runi mund t’ia dalë” ishte titulli i tabloidit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›