E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter, tifozët në akth për Shnajderin

TIRANE- Interi është rikthyer në krye të Serisë A italiane, pas humbjes së Romës me Sampdorian, megjithatë vëmendja e të gjithëve është tek ndeshja me Barcelonën të mërkurën në mbrëmje. Dëmtimi i Uesli Shnajder mban në ankth zikaltërit dhe trajnerin Murinjo. Holandezi ka një shqetësim muskular të pësuar në ndeshjen me Atalantën dhe nuk është stërvitur as paraditen e së hënës. Gjendja e tij është dukur disi më optimiste, pasi edhe stafi mjekësor kërkon të bëjë gjithçka për ta patur në fushë në takimin më të rëndësishëm të sezonit. Presidenti Masimo Morati ka deklaruar se kjo ndeshje është më e rëndësishme sesa rikthimi në krye të Serisë A. “E gjithë vëmendja jonë është përqendruar në Kamp Nou. E dimë që Barcelona do të japë gjithçka, pasi është gjysëmfinale e Champions League. Do të jetë një ndeshje e bukur, emocionuese dhe miku im Laporta do të vuajë ashtu si unë”, tha kreu zikaltër. Për ndeshjen e së mërkurës UEFA ka zgjedhur për arbitër belgun Frenk De Bleker, një nga më të mirët në Evropë. Në Spanjë i kanë kushtuar një rëndësi të madhe arbitrimit, pas ndeshjes së para një jave në San Siro, ku Barcelona pretendoi për dy penallti. Ndërkohë, atmosfera në Kamp Nou pritet të jetë elektrizuese. Biletat për ndeshjen janë shitur të gjitha, ndërsa tifozët do të jenë një orë para në stadium për të krijuar një atmosferë të frikshme për lojtarët e Interit.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›