E Shtunë, 31 Tetor 2026

San Paulo, nis java e modës për kafshët shtëpiake

SAN PAULO- Qen elegantë u ngjitën në pasarelë në kryeqytetin financiar të Brazilit, San Paulo, duke shpalosur krijimet më të fundit të stilistëve vendas e të huaj gjatë edicionit të parë latino amerikan të Java e Modës së Kafshëve Shtëpiake. Edhe pse parada e qenve të hijshmë qe elementi më i spikatur i mbrëmjes ky aktivitet përfshinte gjithashtu një konkurs bukurie si dhe një ekspozitë në të cilën u paraqitën një mori elementësh dekorativë për kafshët shtëpiak. çmimet për stilimin si dhe aktivitetet e tjerë të posaçëm janë të gjithë pjesë e fushatës Java e Modës së Kafshëve Shtëpiake për të "nxitur stilimin dhe risitë" në fushën e bizhuterive për kafshët shtëpiake, qaforet, rripat, shtrojet, aromat e një sërë elementësh të tjerë.

Bizneset që lidhen me kafshët shtëpiake kane lulëzuar gjatë viteve të fundit në këtë vend të Amerikës së Jugut, duke u rritur me 10 përqind vetëm gjatë vitit të kaluar. Sipas një vlerësimi të kryer dy vjet më parë Brazili renditet në vendin e dytë për nga numri i kafshëve shtëpiake me 30 milion ekzemplarë, pas Shteteve të Bashkuara me 60 milion dollarë.

Organizatori i këtij aktiviteti, Rodrigo Rivelino, tha se promovimi i Javës së Modës së Kafshëve Shtëpiake në Brazil do të shërbente si nxitje për industrinë e kafshëve shtëpiake në vend. "Brazili është vendi i dytë në botë përsa i përket numrit të kafshëve shtëpiake në botë. Përsa i përket elementëve dekorativë ato janë ende në nivele modeste megjithatë shpresoj që kjo gjë do të ndryshojë pozitivisht me kalimin e kohës" tha ai.

Qentë "modele" ishin stolisur me veshje të ideuara nga gjashtë stilistë vendas e tre të huaj, duke bërë që publiku të lëshonte herë pas here pasthirrma apo të shpërthente në të qeshura. Xhaketa lëkure, fustane elegantë mbrëmje, kapele madje edhe robdëshambe të stiluar posaçërisht për qentë i mbushën me ngjyra sfilatën 30 minutëshe.

Pronarja e një dyqani kafshësh shtëpiake, Cristine Vargas, foli me tone pozitive në lidhje me stilistët që kishin ideuar këto veshje. "Qaforet ishin të mrekullueshme, luksoze; veshjet të pasura me imtësira të këndshme" tha ajo. Dentistja Ana Lucia Matos tha se disa nga qentë ishin sjellë si modelë të lindur. "Mendoj se disa prej tyre janë lindur për të ecur në pasarelë. Disa të tjerë ecën me njëfarë pasigurie por e përgjithshmja qe pozitive" tha ajo.

40 kompani po paraqesin produktet e tyre gjatë këtij aktiviteti dy ditor i cili pritet të ndiqet nga mëse 8,000 vizitorë. Në Njujork, Tokio e Moskë janë organizuar më parë Java Mode për Kafshët Shtëpiake.
(m.a/s. topi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›