E Diel, 1 Nëntor 2026

Inter u kthye tek fitorja pas dy humbjeve te renda duke mundur 2-0 Kievon

Dy goditje ishin mjaft dhe nuk kishte vend për të tretën. Interi ia arriti të kthehej tek fitorja, duke mundur 2-0 Kievon në “San Siro”, ndonëse kampionët e Italisë nuk e patën aspak të lehtë.

Golat u shënuan vetëm në pjesën e dytë, falë Kambiasos dhe Maikonit, ndërsa miqtë nga Verona u mbajtën mirë në pjesën e parë, duke mos lejuar shumë rreziqe në portën e tyre.

Fitorja bën që Interi të afrohet sërish me Milanin, në distancë vetëm të 2 pikëve, ndërsa kuqezinjtë kanë një ndeshje shumë delikate në fushën e Fiorentinës. Kjo do të thotë se shpresat për titull për skuadrën e Leonardos nuk janë shuar, pavarësisht turpërimeve me Milanin javën e kaluar dhe në Champions me Shalken.

Pacini rrezikoi për vendasit duke iu afruar golit në pjesën e parë dhe Eto po në të parën ndërmori një aksion personal. Në të dytën, sërish u desh të pritej 21 minuta derisa Kambiaso të realizonte në zonë pas një topi të dhënë nga Maikon dhe pas devijimit vendimtar të Andreolit.

Ky rezultat nuk jepte siguri, zikaltërve u duhej edhe një gol tjetër dhe këtë arritën më në fund ta shënonin 6 minuta para fundit, ku autor ishte Maikon, që nuk e pati të vështirë të përfundonte një aksion të ndërtuar nga shokët e tij të skuadrës. Interi mban vendin e dytë, në pritje të ndeshjes që Napoli do të luajë në Bolonjë.

Dramë më vete në Udine, ku Roma iu fal dy herë kapitenit të saj Françesko Toti në fitoren 2-1 ndaj Udinezes. Emocionet nuk munguan, ndërsa golat erdhën vetëm në pjesën e dytë, fillimisht me anë të një penalltie kthyer në gol nga Toti në minutën e 57-të.

U duk se verdhekuqtë i kishin 3 pikët të sigurta, por nuk mendoi ashtu Di Natale që barazoi 2’ para fundit. Por, pikërisht në atë moment, Toti doli edhe një herë në skenë dhe shënoi golin e fitores pikërisht në momentet e fundit. Roma ka tani 53 pikë, vetëm një më pak se Lacio e vendit të 5-të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›