Kapen me heroinë një tiranas dhe një strugan
Dy persona janë kapur në kufirin e Shqipërisë me Maqedoninë, ndërsa po tentonin të fusnin në vendin tonë një sasi lënde narkotike të llojit heroinë. Burimet e Policisë së Korçës bënë të ditur se gjatë një kontrolli rutinë në një mjet me targa maqedonase është gjetur dhe sekuestruar në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës një sasi prej 211 gramësh heroinë. Të njëjtat burime konfirmojnë se u arrestuan Besnik Hoxha, 30 vjeç, nga Tirana, dhe Nexhat Kaba nga Veleshta e Strugës. Ata janë kapur rreth orës 22:00 të së hënës, ndërsa kishin kryer procedurat për kalimin e kufirit. Mësohet se droga ishte fshehur në bagazhet e personave. Dy të arrestuarit kishin marrë një taksi me targa të Ohrit për të ardhur në vendin tonë. Policia tha se e ka gjetur drogën në bagazhet e dy shtetasve që ndodheshin në mjetin me targa OH127IH.