E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babë e bir kapen duke prashitur kanabisin në tokë të shtetit

Babë e bir, banorë të fshatit Poçem në Rrethin e Mallakastrës janë arrestuar dje në mesditë për kultivim të bimëve narkotike. Policia i ka arrestuar ata në kushtet e flagrancës, ndërsa kujdeseshin për parcelën me kanabis që kishin krijuar përpara disa muajsh, duke ju kapur 81 rrënjë. Novruz dhe Elton Çelaj, përkatësisht 51 dhe 19 vjeç, kishin krijuar një parcelë me bimë narkotike në një tokë publike të fshatit Poçem. Nga burimet zyrtare të policisë mësohet se babë e bir kishin zënë në fund të vitit 2008 rreth 1 hektar tokë në grykën e Poçemit, në vendin e quajtur Bënjë. Toka rezulton si pronë publike dhe e pandarë as nga Komisioni i Tokës së Komunës Klos dhe as nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në ditët e para të muajit shkurt ata kanë punuar tokën e zaptuar dhe kanë mbjellë në rreshta të rregullt bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Ata kishin marrë masa edhe për fshehjen e bimës së ndaluar, duke e rrethuar krejt parcelën me një gardh kallamash dhe duke mbjellë ferra pranë gardhit. Po ashtu, babë e bir kishin mbjellë shkurre edhe në mes të rreshtave të kanabisit, për ta maskuar atë. Sipas policisë, Novruzi dhe Eltoni shkonin disa herë në javë tek parcela me kafshë apo me mjete bujqësore, por gjithmonë kujdeseshin të mos binin në sy. Megjithatë, policia e Mallakastrës kishte sinjalizime për aktivitetin e paligjshëm dhe kishte nisur t‘i mbante nën vëzhgim. "Babai po hidhte ujë në çdo rrënjë, ndërsa i biri po prashiste, kur ne u bëmë thirrje të ndalonin dhe i arrestuam", tha një agjent i antidrogës, që mori pjesë në operacionin për arrestimin e dy kultivuesve dhe asgjësimin e bimëve narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›