Kapet shpërndarësi me 72 gramë kokainë
Bie në prangat e antidrogës një shpërndarës kokaine. Alban Ubës i janë kapur 72 gramë kokainë që i kishte bërë gati për shitje, ndërkohë që policia mendon se ai bashkëpunonte me disa persona. Arrestimi është bërë në Tiranë, pasi është mbajtur rreth një javë nën vëzhgim. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se specialistët e Luftës Kundër Narkotikëve kryen arrestimin në flagrancë të Alban Ubës, 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 14.00, në rrugën "Qemal Stafa", u kap në flagrancë, ku gjatë kontrollit fizik iu gjet me vete një pako e mbështjellë me natriban me ngjyrë kafe, ku brenda saj, kishte një sasi pluhuri me ngjyrë të bardhë, e dyshuar si kokainë, me peshë 72.1 gramë. Në cilësinë e provës materiale, veç drogës, atij iu sekuestrua shuma prej 3 mijë lekësh, një celular dhe dy karta telefonike. Policia shpjegoi se materialet do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike".