Zbulohen tri parcela me kanabis në bjeshkë
Rikthehet problemi kanabis në Tropojë. Policia lokale, në bazë të informacioneve të marra nga terreni, bëri zbulimin dhe asgjësimin e tri parcelave me kanabis sativa në vendin e quajtur Llozhmë të fshatit Geghysen, Komuna Bujan. Burime të Komisariatit të Tropojës thanë se në tri parcelat e zbuluara në thellësi të bjeshkëve në një lartësi 1100 metra mbi nivelin e detit, u gjetën gjithsej 220 bimë narkotike. Parcelat ndodheshin në një pyll larg qendrave të banuara. Policia ka marrë në pyetje disa barinj të zonës për pronësinë e parcelave, por pa nxjerrë ndonjë të dhënë për t‘u marrë për bazë, ka sekuestruar disa kampionë të bimëve dhe ka bërë asgjësimin e rrënjëve të gjetura. Vetëm dy vite më parë Tropoja përbënte terrenin problematik në shkallë vendi ku janë gjetur gjithsej mbi 50 mijë rrënjë kanabis sativa në parcelat bujqësore të fshatrave të rrethit.