Interesat jopolitike mbajnë peng opozitën
Kjo mazhorancë ka treguar për tre muaj rresht të gjithë vetëpërmbajtjen dhe moderacionin e nevojshëm ndaj një kërkese absurde, pa themel, të pambështetur në prova dhe në fakte, të pabazuar në ligj, nga kryetari i Partisë Socialiste. Vetëpërmbajtja dhe moderacioni ynë kanë qenë të nevojshëm
për t’i dhënë të gjithë kohën dhe mundësinë për të reflektuar për t’iu kthyer institucioneve, për t’iu kthyer ligjit, për t’iu kthyer bashkëpunimit apo edhe debatit, për ato interesa të larta të vendit që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ky qëndrim është keqkuptuar rrënjësisht. Moderacioni, vetëpërmbajtja, ftesa është marrë për dobësi dhe në vend që sot të reflektohej në mënyrë të arsyeshme, jemi në një moment kur opozita na jep ultimatum dhe na kërcënon me përshkallëzim. Kjo është politika më e vjetruar në Ballkan. Kjo është një vjetërsirë bizantiniste, levantine, trashëgimi e një mentaliteti të vjetruar komunist. Kjo është një praktikë krejtësisht antievropiane.
Zoti Rama të mos presë edhe pesë ditë, ta bëjë nesër atë që ka ndërmend të bëjë, sepse si sot edhe pas pesë ditësh, nuk mund të gjejë marrëveshje për të kapërcyer vendimet e gjykatave dhe për të shkallmuar sistemin kushtetues të këtij vendi.
Nenet 135, 136 dhe 158 të Kodit Zgjedhor janë shkruar dhe miratuar bashkërisht për t’u krijuar aktorëve në zgjedhje, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, mundësi të barabarta që çdo provë dhe fakt do të shqyrtohet, por edhe garanci të barabarta për PD-në dhe PS-në që pasi të mbyllet procesi zgjedhor, palët të mos mund të vazhdojnë t’i bëjnë zgjedhjet në këtë vend një agoni. Kjo ka qenë në interesin më të mirë të vendit dhe PD e PS e kanë bërë këtë qartazi që ndërsjellazi të mos protestonin të nesërmen e zgjedhjeve. Me ç’fytyrë kërkohet sot një gjë të cilën ke dashur t’i ndalosh kujtdo tjetër dje!?
Problemi themelor është se ne nuk kemi një opozitë të përgjegjshme, të cilës sot t’i marrësh fjalën dhe të ta respektojë nesër. A nuk ndodhi kështu në 2007-n? Sjellja e opozitës pas vitit 2005 me zgjedhjet është problematike. Bojkoti ka filluar të kthehet në rregull. Zgjedhjet lokale të 2007-s ishin në prag të bojkotit nga ana e opozitës, pjesëmarrja ishte meritë e moderacionit që tregoi Partia Demokratike. Parlamenti i zgjedhjeve të qershorit 2009 u bojkotua dhe zgjedhjet e pjesshme që u zhvilluan tani, sërish u bojkotuan. Pra, nuk kemi të bëjmë me një veprim të izoluar, por me një rregull sjelljeje. Në thelb, ky bojkot është mosnjohje e zgjedhjeve. Nëse do të njiheshin zgjedhjet, opozita do të ishte në Parlament dhe të gjitha veprimet do të kryheshin në kuadër të jetës parlamentare.
Nga Partia Socialiste u deklarua se nuk ka as fakte, as prova, por veç dyshime. A mundet vallë të shkojë partia më e madhe e opozitës drejt braktisjes së Kuvendit, për shkak dyshimesh, të cilat mund të vërtetohen ose mund të mos vërtetohen. Është përgjegjësi e madhe të mbash opozitën jashtë Parlamentit pa pasur arsye të forta. Kjo aventurë e Partisë Socialiste kundër interesave më të larta të vendit është e nxitur nga interesat e ngushta të kryetarit të Partisë Socialiste, të grupeve kriminale që gjallojnë pranë kryetarit të bashkisë, që i kanë siguruar deri edhe zgjedhjet e 2003-shit. Grupe interesi, të cilat kanë paguar për zgjedhjet në shkëmbim të përfitimeve të paligjshme dhe që sot s’kanë asnjë interes për fletët e votimit dhe kutitë, po i kërkojnë fitoren e premtuar. Qëllimi tjetër është krijimi i tensioneve, transplantimi i krizës personale dhe të lidershipit, tek partia dhe vendi, për të penguar proceset e integrimit dhe heqjen e vizave në mesin e vitit të ardhshëm, si premisa dhe shpresa e vetme për një fitore në zgjedhjet lokale.
Ka vetëm një rrugë. T’i jepet fund bojkotit, të hetohen zgjedhjet me një komision parlamentar, ku siç ka propozuar Kryeministri, opozitës, përveç kryetarit, t’i jepet edhe shumica dhe opozita të japë kontributin e saj konstruktivisht dhe të bëhet pjesë e fitores së heqjes së vizave, sepse qeveria funksionon, Parlamenti funksionon dhe këto objektiva madhore për popullin shqiptar, përtej së majtës dhe së djathtës, do të realizohen gjithsesi vitin e ardhshëm.