Ndërtuesit: Institucionet shtetërore na kanë borxh 70 milionë euro
Ndërtuesit kanë kërkuar dje ndërhyrjen e qeverisë për të zgjidhur shqetësimin e tyre lidhur me borxhin që institucionet u kanë atyre. Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, tha dje në një konferencë shtypi se nga ana e institucioneve përkatëse shtetërore ka një detyrim kontraktual të papaguar për këto shoqëri, që arrin në mbi 70 milionë euro. Muçi tha se me situatën e krijuar, shoqëritë e ndërtimit po shkojnë drejt falimentimit financiar. Muçi tha se vështirësitë shtohen në kushtet kur shoqëritë kanë marrë kredi me interesa të larta për blerje materialesh, pajisje e makineri për të përballuar volumin dhe ritmin e lartë të kërkuar për realizimin e objekteve të tenderuara.
Ai nënvizoi se vonesat në pagesa kanë rritur barrën e detyrimit ndaj furnitorëve dhe bankave për kreditë e marra nga shoqëritë. “Në këtë mënyrë është krijuar një zinxhir detyrimesh të pashlyera ndaj njëri-tjetrit që çon në dëmtim të ambientit të biznesit.
Ndërtuesit i kanë kërkuar qeverisë që të ndërhyjë me masa urgjente për zgjidhjen e problemit dhe të rrisë frymën e bashkëpunimit për kalimin e kësaj situate krize.