Nishani: Pas Aldo Bares, priten të tjera ekstradime VIP
“Çdo individ që ka kryer një krim do të vihet përpara përgjegjësisë. Priten të tjera ekstradime VIP drejt Shqipërisë në të ardhmen”. Ky ka qenë deklarimi i bërë një ditë pas ekstradimit të të shumëkërkuarit Aldo Bare, nga ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, për televizionin “Klan”. I konsideruar ky ekstradim si një sukses i padiskutueshëm, si një prej më të kërkuarve për 20 krime të rënda, Nishani deklaroi dje se shumë shpejt në Shqipëri do të ekstradohen dhe emra të tjerë VIP të krimit. Lidhur me vonesën 3-vjeçare të ekstradimit të Bares nga Turqia, ministri Nishani u shpreh se Bare kishte kërkuar nënshtetësinë turke, një procedurë kjo që mori kohë, por që u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë turke pas shqyrtimit. “Padyshim që është një sukses. Është një sukses në këndvështrimin e zbatimit të ligjit dhe për më tepër në funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri, pasi procese të tilla natyrisht që bazohen në një sërë procedurash dhe institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri duhet t’iu përgjigjen atyre standardeve që kanë të bëjnë me të gjitha konventat ku Shqipëria është palë, apo edhe me marrëveshjet reciproke dypalëshe, të cilat realizohen në këto çështje”, - është shprehur ministri Nishani lidhur me procedurat e ndjekura për ekstradimin e të shumëkërkuarit Aldo Bare. Më tej në prononcimin e tij, numri një i institucionit të drejtësisë ka shpjeguar edhe angazhimin që kanë pasur institucionet shqiptare për ekstradimin e Bares nga Turqia. “Them që prej kohësh kjo çështje ka qenë në ndjekje në mënyrë mjaft të kujdesshme nga të gjitha institucionet që kanë qenë të përfshira në këtë proces, që nga Ministria e Brendshme përmes zyrës së Interpolit, Policia e Shtetit, Ministria e Drejtësisë përmes zyrave dhe agjencive përkatëse që kanë të bëjnë me shkëmbimin e marrëdhënieve juridiksionale me shtetet përkatëse në rastin konkret me Turqinë, por natyrisht edhe me kompletimin e gjithë dokumentacionit, që nga prokuroria e gjykata e me radhë”, - vijoi reagimin e tij ministri Nishnai, një ditë pas ekstradimit të Aldo Bares, një prej arritjeve të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas ministrit Nishani, si shteti turk, ashtu dhe institucionet respektuan kërkesat, por, edhe provat dhe argumentet që shteti dhe institucionet shqiptare paraqiti. “Ne ishim në pritje të gjykimit të marrë nga institucionet e shtetit turk. Në këtë rast ne kemi një gjykim ligjor krejt të hapur dhe korrekt nga të gjitha institucionet e shtetit turk, ashtu siç u realizua tashmë që një person i tillë, me një mal krimesh të kryera, është në duart e drejtësisë shqiptare, dhe ne presim tani që në bazë të ligjit ky person të përgjigjet përpara gjykatës për veprat kriminale që ka kryer”, - përfundoi z. Nishani.
Masa
Aldo Bare, dje për herë të parë përballë gjyqtarëve shqiptarë
Për herë të parë, Aldo Bare është përballur dje me gjyqtarët shqiptarë lidhur me akuzat që rëndojnë mbi të. Përmes tunelit të nëndheshëm që lidh paraburgimin 313-të me Gjykatën e Krimeve të Rënda, paraditen e djeshme është paraqitur për 15 minuta në sallën e gjyqit i cilësuari si kapobanda i Lushnjes. Gjatë kësaj seance të shkurtër, e zhvilluar me dyer të mbyllura, gjyqtari Klodian Kurushi ka saktësuar fillimisht gjeneralitetet e Aldo Bares dhe më pas e ka njohur atë me akuzat që rëndojnë mbi të. Përveç deklarimeve të gjeneraliteteve të tij, Aldo Bare nuk ka preferuar të flasë para gjykatës. E vetmja që ka folur në seancë për Baren ka qenë avokatja e caktuar kryesisht nga gjykata, pasi vetë i pandehuri nuk ka preferuar të mbrohet apo të japë një emër avokati mbrojtës të zgjedhur prej tij. Avokatja Jalldyz Kastrati i ka kërkuar gjykatës një masë më të butë për klientin e saj. Gjyqtari Klodian Kurushi e ka njohur Baren me numrin e madh të akuzave që rëndojnë mbi të, duke filluar nga krijimi i organizatës kriminale, në më tepër se 20 vrasje, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Aldo Bare u arrestua nga policia turke në Ankara më 25 mars të vitit 2006 dhe në përfundim të procedurave u ekzekutua vendimi i ekstradimit për në Shqipëri. Aldo Bare, apo Alfred Shkurti, aktualisht po gjykohej në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasje, vjedhje dhe trafik droge. Më 20 janar, gjyqtarja Fatmira Hajdari ka caktuar seancën e gjykimit për Aldo Baren, ku pritet që ai të asistojë në gjykimin e tij. Deri ditën e gjykimit, sipas burimeve nga burgjet, Aldo Bare do të mbahet 24 orë nën vëzhgim të plotë në një nga qelitë e paraburgimit 313-të, i rrethuar nga një numër i caktuar efektivësh policie. Për sigurinë e tij, Drejtoria e Burgjeve ka angazhuar një staf të posaçëm, duke shmangur kështu çdo incident ku mund të përfshihet Bare.
Burgu 313-të
Aldo Bare, staf i veçantë për survejimin e tij në paraburgim
Qysh prej momentit të mbërritjes në ambientet e paraburgimit 313-të dy ditë më parë, Aldo Bare mbahet në survejim të plotë nga një staf i veçantë i caktuar posaçërisht për të. Burime zyrtare pranë burgut bëjnë të ditur se kapobanda Bare është vendosur në një qeli i vetëm, survejohet herë pas here, ndërkohë që janë duke verifikuar gjendjen e tij shëndetësore dhe po përgatitet kartela e tij mjekësore. Sipas të njëjtave burime, mësohet se stafi i burgjeve do të evitojë kontaktet e Bares me të pandehur të tjerë në këtë paraburgim, me qëllim evitimin e ndonjë incidenti.