E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Gërdeci nuk mbyllet pa u ndëshkuar fajtorët dhe pa u dëmshpërblyer banorët”



Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste konfirmon vendosmërinë e tij për ngritur zërin deri në ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, dënoi deklaratat e deputetit të PD-së, Astrit Patozi, sipas të cilit çështja e “Gërdecit” është e mbyllur. “Që Sali Berisha, qeveria e tij, deputetët e tij, të përfshirë në vrasje, donin të varrosnin këtë krim që ditën e parë që ndodhi, kjo është në vëmendjen e kujtdo shqiptari të ndershëm. Ne, deputetët e Partisë Socialiste të Shqipërisë, nuk mund të lejojmë kurrë që kjo çështje të mbyllet pa ndëshkuar deri përgjegjësin e fundit për vrasjen e 26 shqiptarëve në Gërdec. Nuk do të ketë parlament, nuk do të ketë prokuror apo gjykatës, që të shpëtojë vrasësit nga ndëshkimi”, - tha Braçe. Ai tha se PS-ja nuk do të reshtë nga përpjekjet e saj deri në kompensimin dhe dëmshpërblimin e plotë të banorëve që u dëmtuan nga shpërthimet e Gërdecit. “Natyrisht që ne e identifikuam këtë sjellje barbare qyshkur kryeministri Sali Berisha i vuri çmim, 2 milionë lekë, jetës së çdo individi që vrau në Gërdec. Pikërisht për këtë arsye çështja e dëmshpërblimit në Gërdec nuk do të mbyllet deri kur i dëmtuari i fundit të marrë qindarkën e fundit për dëmin e pronës së tij, të cilin ai e vlerëson vetë”, - tha nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Më tej Braçe theksoi se Berisha nuk duhet të pengojë miratimin e projektligjit të paraqitur nga PS-ja për dëmshpërblimin e banorëve që u dëmtuan nga shpërthimi tragjik i Gërdecit. “Ky projektligj, që është i ndryshëm nga ai, apo ato vendime, me anë të të cilave Sali Berisha e quan Gërdecin aksident teknologjik dhe ka marrë përsipër t’i dëmshpërblejë ata njerëz atje, synon së pari zhdëmtim 100% të dëmit të shkaktuar atje dhe së dyti, në vlerat që përcaktojnë vetë banorët e dëmtuar në Gërdec. Qeveria pas atij krimi shtetëror e ka humbur të drejtën morale për të vendosur çmim për pronën që e shkatërroi me korrupsion dhe krim në Gërdec”, - u shpreh Braçe.

28 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›