Topalli, takime në Bruksel me Rupelin dhe Barroson
“Shqipëria është një vend shumë serioz në përpjekjet për integrim. Shqipëria ka nënshkruar MSA-në dhe bazuar në këtë duke zhvilluar të gjitha potencialet, shpresoj që të bëhet vend kandidat së shpejti për në Bashkimin Europian". Kështu ka deklaruar Dimitri Rupel, ministër i Jashtëm i Sllovenisë, në cilësinë e përfaqësuesit të Presidencës së radhës së BE-së gjatë takimit me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. Kryeparlamentarja ishte e ftuar të merrte pjesë në takimin e përbashkët parlamentar të nivelit të lartë mbi të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, takim i organizuar nga Parlamenti Europian dhe Presidenca sllovene e BE-së. Zonja Topalli duke falënderuar zotin Rupel për vlerësimin e bërë, konfirmoi se objektivi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve mbetet anëtarësimi në BE. “Ndaj dhe kemi vullnet dhe angazhimi maksimal në vijimin e reformave të suksesshme që tashmë kanë dhënë rezultatet e tyre pozitive”, u shpreh ajo. Ndërkohë Topalli u takua edhe me presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Pas takimi Barroso tha: “Shqipëria ka bërë shumë progres dhe së bashku me autoritetet e këtij vendi po punojmë në perspektivën europiane të saj". Kryetarja e Kuvendit falënderoi zotin Barroso për mbështetjen e dhënë Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor gjatë procesit të anëtarësimit në BE dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për realizimin e reformave.
28 Maj 2008