E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Nuk komentoj Wikileaks, me Berishën marëdhënie të shkëlqyera

PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk shprehet aspak i shqetësuar nga publikimi i raportit të “Wikileaksit”, ku zbulohej se ai u kishte thënë diplomatëve amerikanë që “i frikësohej ndikimit të Sali Berishës në Kosovë”.

E përditshmja “Koha Ditore” siguron sot reagimin e Thaçit nëpërmjet një interviste, ku ai shprehet se raportet me homologun nga Tirana si ato personale, ashtu edhe institucionale i ka të shkëlqyera.

“Unë nuk i komentoj opinionet e tilla, ashtu siç nuk i komenton as Washingtoni, e as kryeqytet e tjera. Por dua të theksoj se raportet edhe personale, edhe institucionale me kryeministrin Berisha janë të shkëlqyera”.

Para pak ditësh e përdishmja kosovare publikoi një kabllo diplomatike të “Wikileaks” të cilën Ambasada amerikane në Prishtinë ia kishte dërguar State Departamentit, ku Thaçi shfaqte shqetësimin për ndërhyrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në stabilitetin e brendshëm të vendit.

Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, shefi i Qeverisë nuk shqetësohet as se “Wikileaks” mund të zbulojë kabllo të tjera diplomatike, të cilat e implikojnë atë në lidhjet e kontratave për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, apo në dhënien me koncesion të Aeroportit të Prishtinës. Thaçi thotë se kontrata e autostradës nuk është vendosur mbi kritere politike, por mbi kritere ekonomike dhe se shefi i ICO-s, Pieter Feith, do të duhej pyetur se pse nuk e ka parë asnjëherë këtë kontratë. I pari i ekzekutivit mohon që më 2 korrik të jetë arritur ndonjë marrëveshje mes palës vendëse dhe asaj serbe.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›