E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, seancë urgjente për bisedimet me Serbinë

PRISHTINE- Me kërkesën e opozitës, Kuvendi i Kosovës sot mban një seancë të jashtëzakonshme për bisedimet e filluara me Beogradin dhe konkluzionet apo marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij dialogu. Të trija partitë opozitare LDK, Vetëvendosja dhe AAK, pritet të prezantojnë një qëndrim unik në lidhje me marrëveshjet, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe të dëmshme për Kosovën.

Sipas opozitës, marrëveshjet e arritura nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës pasi përmbajnë elemente të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Me këto konstatime nuk është pajtuar kryeministri Hashim Thaçi. Në një deklarim të tij para seancës, Thaçi i ka cilësuar këto vetëm si konkluzione të dialogut dhe jo si marrëveshje.

“Qeveria e Kosovës e ka mandatin e plotë të Kuvendit të Kosovës për të zhvilluar takime me të gjithë fqinjët. Për të ndërtuar raporte të fqinjësisë së mirë. Është një keqkuptim në interpretim ose prezantim në opinionin publik në Bruksel janë nxjerrë konkluzione të përbashkëta në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me mbështetjen e plotët të BE-së dhe SHBA-së, dhe nuk është arritur ndonjë marrëveshje apo kompromis”, - ka deklaruar Thaçi.

Për dallim nga deklarata e kryeministrit Thaçit se në dialogun Kosovë – Serbi nuk kishte marrëveshje por konkluzione, në komunikatën e zyrës së kryeministrit të datës 2 korrik, thuhet se Prishtina dhe Beogradi kishin arritur tri marrëveshje, atë për lirinë e lëvizjes, regjistrin civil dhe diplomat shkollore e universitare.

Në atë komunikatë nuk përmendeshin konkluzionet, të cilat më pas si terminologji në këtë proces i ka përdorur ndërmjetësi i Bashkimit E[ropian, Robert Kuper.

Sidoqoftë, debati i sotëm në Kuvend është paralajmëruar të jetë i nxehtë. Ndërkaq, pavarësisht insistimeve të opozitës që marrëveshjet të anulohen, një vendim i tillë do të varet nga qëndrimet e Partisë Demokratike dhe subjekteve tjera partnere në qeveri, pasi ato përbëjnë shumicën në parlament.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›