Interesim i madh për takimin me Shqipërinë
Edhe pse Suedia është pothuajse jashtë Kupës së Botës 2010, tifozët nuk e kanë braktisur skuadrën e Lagerbak. Vetëm pak orë përpara sfidës së sotme kundër Shqipërisë, janë shitur mbi 24600 bileta në tribunat e stadiumit "Rasunda", kapaciteti i plotë i të cilit është afro 33 mijë vend. Për t‘u theksuar është fakti se 500 bileta u shitën vetëm të dielën që sapo lamë pas, menjëherë pas humbjes në fushën e Danimarkës. Përveç mbështetjes për përfaqësuesen suedeze, ky interesim vjen edhe për faktin se biletat nuk janë të shtrenjta në krahasim me nivelin e jetesës (çmimet variojnë nga 19 euro deri në 50 euro në varësi të vendeve). Pas sfidës me Shqipërinë, tifozët suedezë do t‘i japin lamtumirën trajnerit Lars Lagerbak, si edhe idhullit të tyre, sulmuesit Henrik Larson, i cili ka deklaruar se do të tërhiqet nga futbolli. Kjo mund të jetë ndeshja e fundit me fanellën e përfaqësueses suedeze edhe për dy lojtarë të tjerë mjaft të rëndësishëm gjatë këtyre viteve, Anders Svenson dhe Olof Melberg.
e. k.
e. k.