Interi i 17-ti, zikaltërit shohin të hapur dyert e Serie B!
Me rezultatet e ditës së djeshme në kampionatin italian, skuadra e Inter zbret në renditjen e përgjithshme dhe kap vendin e 17-të duke lënë pas vetëm Çezenan, Leçen dhe Novaran. Fitoret e Kajliarit, Bolonjas dhe Fiorentinës kanë thelluar më tej krizën në kampin zikaltër. Interi kishte një mundësi shumë të mirë dje përballë Udinezez për t′iu afruar kreut të renditjes, por nuk ia doli të marrë edhe një pikë të vlefshme. Në minutat e fundit, Pacini kishte një mundësi të mirë të barazonte rezultatin nga pika e 11-metërshit por goditi në një mënyrë amatoreske. Moment aspak i mirë ky për ekipin që drejtohet nga Klaudio Ranieri, i cili pas humbjes së djeshme me friulanët i bëri thirrje lojtarëve për të punuar sa më shumë që të nxjerrin Interin nga pozicionet e renditjes që nuk është mësuar të qëndrojë. “Pa u ndjerë keq për veten, ne duhet të luftojmë deri në fund të sezonit dhe të shohim çfarë mund të bëjmë. Do të punojmë shumë, por duhet të rrimë të qetë”, deklaroi Ranieri pas ndeshjes me friulianët. A rrezikon Interi rënien nga kategoria apo është thjesht një krizë momentale? Kampionati është ende i gjatë.