Interi liron Murinjon, tani te Reali
Arrihet marrëveshja mes Interit, Realit të Madridit dhe Murinjos. Trajneri portugez, nga ora 17:00 e ditës së djeshme, është i lirë të shkojë te Reali i Madridit. Florentino Perez, presidenti i Realit, i ardhur enkas për këtë çështje në Milano për të mbyllur tratativën, është rikthyer më pas drejt Spanjës i lumtur. Misioni është realizuar. Reali do t’i paguajë Interit 8 milionë euro për ta lënë të lirë, trajneri do të prezantohet të hënën në Madrid. Kronika e historisë së ditës së djeshme dhe pozicionet para arritjes së marrëveshjes. Florentino Perez ka zbarkuar në Milano pak pas mesditës për të interpretuar rolin e tij. Si në filma, në këtë histori sureale që çon Murinjon te Reali i Madridit po bëhet loja e policit të mirë dhe policit të keq (një histori amerikane). Ose këto janë rrobat që dy protagonistët e mëdhenj të filmit, Florentino Perez dhe “Special One”, kanë vendosur të veshin. Si ai, ashtu edhe trajneri i tij i ardhshëm kanë folur. Perez për “Cadena Ser”, ndërsa Murinjo te “AS” plus disa prononcime të ashpra në faqet e “Marça”-s. Presidenti Perez bëri pjesë në “polin e të mirit”: “Nuk e di se kur do të vijë Murinjo, por jam i sigurt që do të jetë trajneri ynë. Duhet ta zgjidhin çështjen në lidhje me një interpretim e një klauzole të kontratës, dhe jam i sigurt që do ta bëjnë. Dhe nëse nuk do të mund ta bëjnë mes tyre, do ta bëjnë nëpërmjet një personi të tretë. Unë? Le të themi se sigurisht mund t’i ndihmoj. Duke paguar? Thashë t’i ndihmoj, jo të paguaj. Një ndihmë është një ndihmë. Në fund flitet për një ekuivok dhe jam i sigurt që do ta gjejnë një rrugë të mesme”. Më mospërfillës ishte Murinjo, i cili bën “polin e të keqit”. Te “Marça” e hapin me deklaratën e tij të ashpër në thonjëza, në drejtim të Florentinos: “Perez, mos i paguaj 16 milionë eurot. Nuk mund ta shoh të derdhë këtë shumë parash”. E përditshmja e Madridit konfirmon t’i drejtohet “TAS”-sit dhe bën të ditur se Mou dje nuk dëshironte të humbiste vitin shkollor të vajzës, Matilde. Sipas “Marça”-s tashmë ka luftë mes Murinjos dhe Interit. Trajneri portugez e konsideron ilegale klauzolën e prishjes së kontratës dhe do të ishte i gatshëm ta hidhte në gjyq, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Më të njëjtin ton janë edhe fjalët e prononcuara për të përditshmen tjetër madrilene, “AS”: “Do të doja që njerëzit të kuptonin se ka përfunduar një cikël, se duhet të jetë e qartë, që dëshira ime është të shkoj në Madrid. Mendoj se janë bërë mirë llogaritë më parë. Unë jam tashmë në historinë e Interit dhe Interi është në historinë time: Ata e dinë se si jam dhe e dinë se edhe nëse do të më ofronin një kontratë të re me një rrogë më të lartë, nuk do të ndryshoja ide. E dinë se nuk ia vlen fare që të luftojnë për të më mbajtur mua. Unë nuk dua të largohem nga Interi në mënyrën më të keqe, por krejt ndryshe. Ndërsa jam plotësisht i qartë në mënyrë absolute, se do të jem trajneri i Realit të Madridit. Në një mënyrë të mirë apo të keqe”.
#