E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca do të organizojë Euro 2016, Turqia bie për 1 votë në finale

Aktiviteti Vendimi është marrë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Gjenevë

Pas thirrjes së bërë nga presidenti Nikolas Sarkozi, Franca mposhti Turqinë dhe Italinë dhe siguroi të drejtën të jetë organizatorja e Kampionatit Europian 2016. Në mbledhjen e zhvilluar në Gjenevë, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s votoi 7-6 në favor të transalpinëve, që kishin si rivale kryesore Turqinë. Ndërkohë, Italia u eliminua që prej raundit të parë, ku mori vetëm 23 vota, përballë 43 të Francës dhe 38 të turqve.

Franca bëhet vendi i parë që do të organizojë tri herë aktivitetin më të rëndësishëm në kontinent për ekipe përfaqësuese: ata ishin pritës në finalen e parë me katër skuadra në vitin 1960 dhe në aktivitetin me tetë skuadra më 1984-ën. Anonçimi për triumfin u dha nga presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, i cili e ka fituar titullin europian në shtëpi si kapiteni i Kombëtares së “gjelave”. Për t’u theksuar është fakti se Platini nuk votoi së bashku me anëtarët e tjerë të Ekzekutivit. Fitorja vetëm me një votë në raundin e dytë erdhi pasi Sarkozi dhe ish-ylli i bluve, Zinedin Zidan, mbështetën vendin e tyre gjatë prezantimit final. Presidenti i Republikës deklaroi se qeveria që ai drejton do të mbështesë projektin me kosto 2,1 miliardë dollarë, nëpërmjet të cilit do të ndërtohen ose rikonstruktohen stadiumet për këtë eveniment. “Si përfaqësues i shtetit tim, ndodhem këtu për të mbështetur dhe për të garantuar se do të realizojmë gjithçka që kemi premtuar”, tha Sarkozi. Kreu i Federatës Franceze, Zhan-Pier Eskalet, falënderoi UEFA-n për besimin që shfaqi nëpërmjet votimit. “Kjo është një ditë shumë e bukur për ne, deklaroi ai. Ju siguroj se nuk do t’ju zhgënjejmë tani që na dhatë besimin tuaj”.

Në Euro 2016 do të marrin pjesë 24 skuadra, të cilat do të zhvillojnë 51 ndeshje në harkun e një muaji. Finalja do të luhet në Paris, në “Stade de France”, impiant në të cilin u zhvillua finalja e Botërorit 1998. Francezët kanë planifikuar punime në stadiumet e 12 qyteteve kryesore, ndërsa në Bordo, Lilë, Lion dhe Nisë do të ndërtohen impiante të reja. Qëllimi është ndërtimi i stadiumeve të qeta për brezat e ardhshëm, ku futbolli do të çlirohet nga “kanceri që ka shkaktuar dhuna” mes tifozëve.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›