E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, bllokohen tri kg heroinë



DURRES/ OERD ULQINI

Kapen me rreth 3 kile heroinë dy persona nga skaje të ndryshme të vendit. Pas sinjaleve operative për trafikun e miellit të kuq, që dyshohet se e ka origjinën nga Azia Qendrore, antidroga e Durrësit organizoi operacionin në vendin e njohur si “Mbikalimi i Plepave”, në hyrje të zonës së plazhit. Sipas policisë, në pranga përfunduan Idriz Manej, 55 vjeç, nga Shkodra dhe Maliq Ibraj, 58 vjeç nga Patosi. Ata gjendeshin në mjetin tip “Benz” me targë FR 5092 C, kur po transportonin lëndën narkotike. Sipas burimeve policore, në timon ndodhej 58-vjeçari nga Patosi Maliq Ibraj, ndërsa Idriz Manej ishte si pasagjer. Por pikërisht në zonën e mbikalimit të Plepave, ata janë detyruar të ndalojnë mjetin kur janë përballur me sinjalizimin “stop” të një patrulle të përforcuar policore. “Droga ishte fshehur në një kuti kartoni, poshtë sediljes së pasagjerit. Ajo ishte e ndarë në gjashtë pako, me peshë të barabartë, totali i të cilave arrinte në 3 kg e 69.3 gram heroinë”, bëri të ditur policia. Operacioni startoi dhe njëherazi finalizoi në orët e vona të së hënës. Sipas burimeve, specialistët e antidrogës ishin informuar më parë për ngarkesën e drogës që ndodhej tek “Benzi” me ngjyrë vishnje, e cila do të vinte drejt qytetit bregdetar. Pas sinjalit të dhënë, blutë ngritën postbllok, agjentë me uniformë dhe civilë. Duke gjykuar cilësinë e mirë të heroinës, dyshohet se destinacioni final i saj ishte Italia ose vende të tjera të Evropës. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se dyshohet që Durrësi do të ishte stacioni i fundit shqiptar i drogës. Sipas të njëjtave burime, makina është nisur nga jugu i Shqipërisë pasditen e së hënës. Në sajë të hetimeve të kryera rezultoi se origjina e drogës është Azia Qendrore. Dyshohet se të arrestuarit janë korrierë, ndërsa po hetohet për të identifikuar porositësit e mallit e cila kap një vlerë të paktën 70 mijë euro. Antidroga, përmes shërbimeve të saj operative kishte siguruar informacionin e domosdoshëm mbi itinerarin e drogës, pasi agjentët e saj ishin të mirinformuar për mjetin dhe orarin kur ajo do të mbërrinte në Durrës. Sipas policisë, po hetohet edhe lidhja e dy të arrestuarve, të cilët janë nga skaje të ndryshme të Shqipërisë.

TE ARRESTUAR

Idriz Manej,
55 vjeç,
nga Shkodra
Maliq Ibraj,
58 vjeç
nga Patosi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›