Superliga, Dinamo mund Apoloninë mes polemikave
TIRANE- Janë zhvilluar 4 ndeshjet e para të javës së 11-të të Superligës, ku ajo që bie në sy është fitorja 3-2 e Dinamos përballë Apolonisë. Blutë e drejtuar nga Shkëlqim Muça morën fitoren e nëntë në 11 ndeshje të këtij sezoni, por edhe këtë herë nuk u kanë shpëtuar polemikave. Fierakët janë ankuar për një penallti të padhënë dhe për golin e dytë të Dinamos, që ishte në një pozicion shumë të dyshimtë. Vendimet e gjyqtarit të ndeshjes Edvin Hoxha, çuan në fund në dorëheqjen e presidentit të Apolonisë Endri Puka. Ai ka deklaruar se FSHF nuk ka krijuar rregulla të barabarta loje për të gjithë, duke akuzuar arbitrat për vendime të njëanshme. “Federata nuk ka treguar vullnet për të vendosur standarte në futbollin shqiptar, prandaj jap dorëheqjen”, ka bërë të ditur ai. Ndërkohë, në takimet e tjera spikat fitorja 1-0 e Vllaznisë në fushën e saj përballë Gramozit. Kjo fitore i largon përkohësisht shkodranët nga vendi i fundit në renditje, duke i ngjitur në kuotën e 11 pikëve. Në Peqin, ndeshja mes Shkumbinit dhe Skënderbeut ka përfunduar me fitoren minimale 1-0 të skuadrës vendase, ndërsa ndeshja e zhvilluar në Krujë mes Kastriotit dhe Flamurtarit përfundoi në barazim 1-1. Të dielën luhen dy ndeshjet e fundit të kësaj jave, Laçi-Tirana dhe Teuta-Besa.(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)