E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi prezanton Leonardon:Sfidë e pabesueshme për mua

MILANO- Leonardo është prezantuar si trajneri i Interit, duke nisur zyrtarisht detyrën në klubin kampion të Evropës dhe të botës. Tekniku brazilian mbërriti rreth mesditës në qendrën stërvitore të Pinetinës, ku u prit nga duartrokitjet e 1500 tifozëve.

“Është një sfidë e pabesueshme, që më emocionon shumë. Nuk mund të thoja jo”, deklaroi Leonardo. Në konferencën e prezantimit, ai u shpreh se për këtë detyrë është konsultuar edhe me Zhoze Murinjon. “Ai me mua ka qenë i jashtëzakonshëm. Unë e telefonova, sepse të vish tek Interi pa kaluar nga Murinjo është e pamundur, ai është kudo. Murinjo është i jashtëzakonshëm, pas konferencave të shtypit brilante, ekziston një punë e pabesueshme”, u shpreh Leonardo.

Ndërkohë, presidenti Masimo Morati ka qenë tepër i lumtur me zgjedhjen e trajnerit brazilian.
“Unë marr përgjegjësitë e plota për këtë zgjedhje dhe jam i qetë. Emocionet janë të mëdha, uroj që Leonardo të punojë për ëndrrat e tifozëve”, deklaroi kreu i klubit zikaltër. Ai bëri gjithashtu shaka, duke thënë se pas largimit të Benitez, do të blejë 5 futbollistë.

Ndërkohë, Leonardo ka folur edhe për zërat e tifozëve të Milanit, të cilët e quajnë që tani një tradhtar.
“Nuk dua të jem më djali i mbarë, - u përgjigj Leonardo. – Por, respektoj lirinë e gjykimit të të tjerëve. Nëse mendojnë se unë jam tradhtar, ky është një gjykim që nis nga emocionet”.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›