E Diel, 1 Nëntor 2026

Interi shfaqet i papërmbajtshëm në Serinë A

Milano - Interi tregon edhe këtë javë superiritetin në kampionatin italian të futbollit. Zikaltërit arritën një fitore të thellë në Romë kundër Lacios me rezultatin 3-0. Lacialët, me ndeshjen që zhvilluan në fundjavë kundër Milanit për Kupën e Italisë, krijuan iluzionin se do të ishin ata që do të frenon kampionët.

Përballja e “Olimpikos” tregoi një fytyrë tjetër të Lacios, e cila nuk arriti të tregojë asnjë grimë nga ndeshja e kupës. Zikaltërit kaluan që në minutën e dytë në avantazh me një emër të njohur për çelestët, Samuelin. Lojtari erdhi nga thellësia e mbrojtjes për të hapur serinë e rrjetave për kampionët. Autogoli i Diakites, dhe goli në pozicion jashtë loje i Ibrahimoviçit, shuan çdo shpresë të lacialëve për të dhënë diçka në këtë takim.

Interi ruan distancën me skuadrat ndjekëse, Juventusin dhe Milanin, me 6 pikë. Interi javën e ardhshme do të presë polin tjetër të tabelës, Kievon. Ndeshja duket e lehtë në letër për djemtë e Murinjos, por veronezët nuk kanë se çfarë të humbin në këtë takim.

Fundjava rezultoi fatale për skuadrën e Lacios, e cila po i zbret vendet një nga një në klasifikim. Çelestët ndodhen në vendin e 7-të me 23 pikë, ku në javën e ardhshme do të udhëtojnë në transfertën e vështirë të Udinezes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›