E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Interi, surprizë e bukur, mezi pres të filloj punën"

TIRANE-Xhan Piero Gasperini ka shkuar edhe "fizikisht" në shtëpinë e Interit. Trajneri i ri i skuadrës zikaltër ka bërë një vizitë në selinë e klubit, në rrugën "Vitorio Emanuele" të Milanos si edhe në qendrën stërvitore të Pinetinës. Më pas, ish-trajneri i Xhenoas ka dhënë edhe deklaratat e para si teknik i Interit, ndonëse prezantimi zyrtar do të bëhet ditën e premte. "Ishte një surprizë e bukur, premtoj më të mirën dhe mezi pres të nis nga puna", deklaroi Gasperini. Mbledhja e parë në klubin e Interit për trajnerin e ri ka zgjatur 2 orë e 15 minuta, më pas ai është larguar. Në takim ishte edhe Rinaldo Ghelfi, zëvendës president i klubit. Çudia ishte se në fund, ish-trajneri i Xhenoas nuk ka pranuar të konfirmojë firmosjen e kontratës, ndërsa pyetjes se nëse Interi do të marrë apo jo Palasion, ai iu përgjigj me një batutë: "Sa shumë gjëra doni të dini...". Në mbledhje ishte edhe Marko Tronketi Provera, që ka komentuar zgjedhjet e Gasperinit. "Po, sigurisht që jam i kënaqur. Merkato? Skuadra ekziston, kështu që është e nevojshme të mendojmë për të, për gjetjen e motivimeve të përshtatshme në rrugën e re. Emra të mëdhenj? Kemi shumë të tillë aktualisht në skuadër. Palasio? Diçka do të ndodhë, por e përsëris që kemi shumë emra në ekip", shtoi numri 2 i klubit të Interit.
EDICIONI I RI
Mbledhja e djeshme në fakt, ka patur për qëllim vendosjen e piketave për sezonin e ardhshëm, sidomos për merkaton dhe përgatitjet. Kështu, është bërë e ditur axhenda e miqësoreve të verës, duke nisur nga një ndeshje me Gallatasarajin dhe me Turneun e Dublinit më 30 dhe 31 korrik. Por, çështja kryesore është ajo e merkatos. Bashkë me Gasperinin, në selinë e Interit kanë qenë edhe bashkëpunëtorët e tij, duke nisur nga asistenti Bruno Kaneo dhe përgatitësi atletik Luka Truki. Për trajnerin e ri do të jetë mundësia që të shpalosë për herë të parë metodologjinë e punës së tij. Sa u përket blerjeve, emri i parë në listën e Gasperinit është Rodrigo Palasio, mesfushori i Xhenoas, një nga më të mirët në sezonin e shkuar. Branka ndërkohë ka marrë listën e futbollistëve që tekniku i ri dëshiron të ketë në skuadër, ndonëse organika aktuale mbetet akoma shumë e fortë. Gjithsesi, blerjet do të bëhen në bazë të skemës që aplikon Gasperini dhe që janë 3-4-3 apo 4-3-3. Shumë gjëra lidhen me prezencën e Uesli Shnajder, një futbollist i konsideruar thelbësor për Interin e ri, siç ka qenë edhe në dy sezonet e fundit. Pra, një element shumë i rëndësishëm do të jetë ruajtja e futbollistëve që janë aktualisht në ekip. Ndërkaq, nën urdhrat e teknikut të ri do të qëndrojnë edhe një pjesë e stafit aktual, duke nisur nga ndihmësi Bepe Barezi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›