Anglia ka frikë

Jamie Carragher ka pranuar se ekziston një faktor i frikës në paraqitje për Anglinë. “Një gabim dhe ju mund të masakroheni”, tha mbrojtësi i Liverpoolit për BBC Radio 5 Live.
“Në klubin tuaj e dini se nuk do të kritikoheni aq shumë, ndoshta pse tre ose katër ditë më vonë do të vjen një ndeshje tjetër. Me Anglinë mund të kalojnë muaj deri në takimin e ardhshëm. Ekziston një frikë sa herë që luani për Anglinë”, shtoi ai.
Carragher në komentet e tij, që vijnë një vit pas eliminimit të Anglisë nga Kampionati botëror, theksoi se futbollistët nganjëherë vuanin nga kritikat e medieve.
“Intensiteti i medieve ka ndikim te futbollistët. Nganjëherë mendoj se futbollistët do të preferonin që gazetari të mendojë se ata luajtën mirë në vend të trajnerit”, u shpreh ai.
Anglia u eliminua nga Kampionati botëror në Afrikën e Jugut pas humbjes 4-1 nga Gjermania në rrethin e dytë të garës. Carragher u paraqit në ndeshjet e grupeve kundër Shteteve të Bashkuara dhe Algjerisë, pas rikthimit nga pensionimi ndërkombëtar, por ishte në pankinë në humbjen nga Gjermania.
Ai kritikoi përgatitjet e Anglisë në Afrikën e Jugut, duke thënë se futbollistët ishin të mërzitur.
“Ju qëndroni në hotel gjithë ditën, por kaloni kohë të gjatë në Kampionat botëror dhe duhet të jeni në gjendje të provoni gjëra tjera. Nuk do të doja që futbollistët e mi të jenë të izoluar. Leni anash mërzinë, shijojeni më tepër vendin ku jeni”, theksoi Carragher.
Edhe menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp – kandidat për të zëvendësuar Fabio Capellon pas aventurës së dështuar në Botërorin 2010 para vazhdimit të qëndrimit të italianit – mendon njësoj si Carragher.
“Kam biseduar me disa futbollistë, të cilët kanë thënë se qëndronin në dhomat e tyre duke pritur të kalonte dita. Disa prej tyre vuanin nga monotonia”, tha Redknapp i cili mendon se shumë futbollistë nga Premierliga tani kanë prioritet klubet para përfaqësimit të shtetit të tyre.
“Shpërblimet, paratë e përfshira në klube dhe dëshira për të luajtur në Ligën e Kampionëve duket se ndeshjet ndërkombëtare i takojnë pothuajse rangut të dytë”, shtoi ai.
“Futbollistët dashurohen nga klubet e tyre, por jo gjithmonë është kështu kur luajnë për shtetin e tyre”, përfundoi ai.
Anglia fitoi vetëm një prej katër ndeshjeve të saj në Afrikën e Jugut, duke mposhtur 1-0 Slloveninë në takimin e tyre të fundit në Grupin C dhe u kritikua ashpër për lojën e dobët. Capello vazhdon të jetë selektor i ekipit dhe ka filluar të shfaqë më tepër besim te futbollistët e rinj si Jack Wilshere dhe Adam Johnson.