Juventus-Aguero, transferta duket një çështje orësh
ITALI- Juventusi është gjithnjë e më shumë pranë blerjes së Serxhio Agueros nga Atletiko e Madridit. Ka qenë Bruno Satin, përfaqësuesi i shoqërisë “IMG”, që merret me menaxhimin e sulmuesit argjentinas, ai që ka pranuar se kalimi i “Kun” te bardhezinjtë është tashmë një çështje orësh. “Kontaktet me Juventusin janë konstante, - tha ai. – Aguero dëshiron të shkojë në një klub të madh dhe ai bardhezi është i tillë. E njohim politikën që po ndiqet në Torino dhe mendoj që nuk ka asnjë pengesë për të arritur një akord”, shtoi Satin. Fjalët e tij lënë të kuptohet se gjërat po ecin në rrugë të mbarë për “Zonjën e Vjetër”. “Mundësia që Aguero të veshë fanelën e Juventusit është konkrete”, shtoi më tej agjenti Bruno Satin. Tashmë pritet vetëm vajtja në Madrid e Bepe Marrotës, që duhet të diskutojë me Atletikon për çmimin e sulmuesit. Juventusi ofron 30 milionë euro për Agueron, një shumë që duket e vështirë për t’u refuzuar. Juvja i ka paratë dhe i ofron cash në çast, pas shtimit të kapitalit një javë më parë. Problemi i vetëm mbetet ndërhyrja e Çelsit të Vilas Boas, megjithatë OK-i i futbollistit është në krah të bardhezinjve. Antonio Konte e konsideron “El Kun” si sulmuesin ideal për t’i dhënë më shumë cilësi repartit të avancuar, pas dështimeve me Amaurin, Tonin apo Martinez. Të tjerë emra të kërkuar nga bardhezinjtë janë mesfushori i Bajer Leverkusen Arturo Vidal, por edhe Keisuke Honda nga CSKA Moska apo Luis Nani i Mançester Junajtid. Emra të arritshëm, duke parë gatishmërinë e klubeve për të negociuar.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)