E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë klube bisedojnë me Neymarin

Nga Express më 29 qershor 2011 në ora 08:25

Pesë klube nga shtete të ndryshme evropiane kanë pranuar të paguajnë çmimin prej 45 milionë eurosh të kërkuar për sulmuesin brazilian, Neymar, ka njoftuar klubi i tij, Santos.

Rivalët spanjollë, Real Madrid dhe Barcelona, dyshja e pasur e Premierligës, Chelsea e Manchester City si dhe klubi rus, Anzhi Makhachkala janë kuarteti që janë të gatshëm të paguajnë dëmshpërblimin e sulmuesit, që do të ishte rekord botëror për një tinejxher.

Presidenti i Santosit, Luis Alvaro de Oliveira Ribeiro nuk ka konfirmuar emrat e klubeve të interesuara, por njoftoi se kërkesat vijnë jashtë vendit dhe se bisedimet për futbollistin do të fillojnë tani. “Ne nuk duam ta shesim Neymarin, por ekziston një dëmshpërblim në kontratën e tij. Pesë klube evropiane janë të gatshme të paguajnë atë”, tha ai për ESPN Brazil.

“Nuk mund t’i tregoj emrat e tyre, sepse ekziston një marrëveshje mes Santosit dhe atyre klubeve, por janë disa prej klubeve më të mëdha në Evropë. Ata kanë kërkuar të bisedojnë me futbollistin dhe ne u kemi dhënë leje. Klubet janë sjellë në mënyrë etike. Së pari kanë kontaktuar Santosin duke njoftuar se janë të gatshme të paguajnë dëmshpërblimin. Me këtë qasje ata kanë të drejtë të bisedojnë me babanë e Neymarit dhe përfaqësuesit e tij”, përfundoi Ribeiro.

Neymar është njëri prej talentëve më të mëdhenj në futbollin botëror. Ai shënoi 27 gola në 63 ndeshje në Campeonato Brasileiro, pas debutimit në dhjetor 2009.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›