Ekipi ideal i të rinjve
Duke pasur parasysh moshën e tyre, disa ende nuk kanë arritur në kulm të potencialit, edhe pse ka të atillë që kanë kaluar sezon jashtëzakonisht të mirë. Në futbollin modern sa vjen e më tepër depërtojnë futbollistë të rinj, të cilët edhe si tinejxherë arrijnë të zënë vend në formacionet bazë të skuadrave të mëdha. Ueb faqja tportal.hr ka formuar ekipin ideal të të rinjve, kryesisht të gjeneratës 1989, dhe i ka vendosur në formacionin 4-3-3.
Portier
David de Gea, 20 vjeç, përforcim i ri i Man Utd
Futbollisti të cilit i ngjan: Edwin van der Saar
I gjatë, i gjallë dhe kërcyes. Të gjitha këto janë elemente i takojnë legjendës holandeze Van der Saar, të cilin duhet ta zëvendësojë në Manchester United dhe De Gea është pasardhës ideal. Që ngjashmëria të jetë identike, ai duhet të përmirësohet në lojë me këmbë në mënyrë që të mbizotërojë në zonën e tij.
Mbrojtës i djathtë
Cesar Azpilicueta, 21 vjeç, nga Marseille
Futbollisti të cilit i ngjan: Dani Alves
Nëse nuk do të ishte lënduar gjatë dimrit, do të ishte edhe më i njohur në mbarë futbollin evropian. Kështu duhet të luftojë për një vend në formacionin bazë te Marseille ose të kërkojë një klub të ri. Duke pasur parasysh paraqitjet e mira që shfaqi në pjesën e parë të sezonit dhe së fundmi Kampionatin evropian U-21, vështirë se do të mungojë interesimi.
Mbrojtës i majtë
Gareth Bale, 21 vjeç, nga Tottenham
Futbollisti të cilit i ngjan: Ryan Giggs
Për nevoja të ekipit u aktivizua në pozitën e mbrojtësit të majtë. Bale është më tepër mesfushor i majtë. Bëhet fjalë për një futbollist me shpejtësi të jashtëzakonshme, i cili është vështirë të ndalet edhe nga krahët më të mirë si Maicon. Gjatë dimrit filloi të vuante nga lëndimet, por paraqitjet e tij në pjesën e parë të sezonit ishin të mjaftueshme që të konsiderohet si njëri prej futbollistëve të rinj më të mirë në botë.
Qendërmbrojtës
Mamadou Sahko, 21 vjeç, nga PSG
Futbollisti të cilit i ngjan: Marcel Desailly
Me paraqitjet e tij të mira mori ftesë për ekipin senior të Francës që asnjëherë nuk kishte mungesë të mbrojtësve të mirë. Sakho nuk është vetëm futbollist i fuqishëm dhe me kërcim të lartë, por ka edhe vizion të mirë të lojës, veçori të cilat i përdor shpeshherë për kalim në pjesën e fushës së kundërshtarit.
Qendërmbrojtës
Chris Smalling, 21 vjeç, nga Man Utd
Futbollisti të cilit i ngjan: Sol Campbell
Pas lëndimeve të Nemanja Vidiçit e sidomos Rio Ferdinandit, i riu Smalling u desh të mbajë një barrë të madhe në vijën e fundit. Kjo nuk doli të jetë detyrë e vështirë për të pasi luajti aq mirë sa që Manchester United fitoi titullin e kampionit në Premierligë dhe arriti në finale të Ligës së Kampionëve.
Mesfushor defansiv
Yann M’Vila, 20 vjeç, nga Rennes
Futbollisti të cilit i ngjan: Claude Makelele
Laurent Blanc pas fiaskos në Afrikën e Jugut, vendosi të freskojë ekipin me futbollistë të rinj, në mesin e të cilëve në formacionin bazë ka inkuadruar M’Vilan. Njësoj si paraardhësi i tij Makelele, M’Vila është luftëtar i madh, i cili përveç predispozitave të shkëlqyeshme fizike ka edhe lojë të mirë pozicionale, veçori shumë të rëndësishme për një mesfushor defansiv.
Mesfushor i djathtë
Javier Pastore, 21 vjeç, nga Palermo
Futbollisti të cilit i ngjan: Dr. Socrates
Në histori të futbollit përveç të madhit Dr. Socrates dhe tani Pastores, vështirë është të gjendet një futbollist që lëviz me aq lehtësi, pavarësisht trupit shtatlartë (190 centimetra). Pastore ka të gjitha karakteristikat e një mesfushori ofensiv, vizion të lojës, kthim me top, teknikë të asistimit dhe goditje nga distanca. Përveç kësaj, si futbollist i ri di të jetë lider në fushë.
Mesfushor i majtë
Eden Hazard, 20 vjeç, nga Lille
Futbollisti të cilit i ngjan: Raphael van der Vaart
Thesar i gjeneratës së madhe të futbollistëve belgë. Me paraqitjet e tij të shkëlqyeshme në sezonin e fundit udhëhoqi skuadrën e tij Lille drejt titullit të kampionit në Ligue 1 dhe triumfit në Kupën e Francës. Bilancit prej 7 golave ia shtoi edhe 11 asistime. Edhe pse përkohësisht u paraqit në pozitën e krahut, më së miri gjendet në qendër të fushës, ku mund të manovrojë lirshëm.
Sulmues i majtë
Neymar, 19 vjeç, nga Santos
Futbollisti të cilit i ngjan: Robinho
Ajo që dikur për Santosin ishte dyshja Diego – Robinho, sot janë Ganso-Neymar. Ndoshta sot futbollistët më të kërkuar në botë, të cilët do të kenë rastin e tyre në Copa America. Neymar është më i rrezikshëm kur pranon topin në krahun e majtë, pasi atëherë mbrojtësit e ekipeve kundërshtare nuk e dinë nëse do të niset drejt qendrës apo do të depërtojë nga krahu.
Sulmues i djathtë
Thomas Muller, 21 vjeç, nga Bayern Munich
Futbollisti të cilit i ngjan: Berndt Schuster
Me statistika, futbollisti më efikas në listë me 19 gola e po aq asistime për Bayernin në të gjitha ndeshjet zyrtare në edicionin e fundit. Ai ka filluar të njihet me nofkën Ironman (njeriu i çeliktë) për faktin se në dy sezonet e fundit ka munguar në vetëm një ndeshje të kampionatit. Për një futbollist i cili nuk është qendërsulmues tipik, jashtëzakonisht mirë parashikon lëvizjet e mbrojtësve kundërshtarë dhe arrin të gjejë hapësirë të lirë.
Qendërsulmues
Alexandre Pato, 21 vjeç, nga Milan
Futbollisti të cilit i ngjan: Bebeto
Pato, njësoj si Bebeto, është sulmues i cili luan me sukses si qendërsulmues, por edhe përkrahës i një të tillë. Varësisht nga nevoja, Pato për Milanin është aktivizuar në secilën pozitë ofensive në kombinim me Zlatan Ibrahimoviçin, Robinhon dhe Antonio Cassanon. Shkëlqen me teknikën e tij, ndërsa më së tepërmi njihet për shpejtësinë në depërtimet e tij.
Rezervistët: Portier: Rafael (Santos). Qendërmbrojtës: Victor Ruiz (Napoli). Mesfushor defansiv: Sven Bender (Borussia Dortmund). Mesfushor qendror: Jack Wilshere (Arsenal). Sulmues: Andy Carroll (Liverpool).