E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi triumfon në derbin e madh të Milanos

Milano - Interi ka triumfuar në derbin e Milanos përballë rivalëve të përjetshëm të Milanit me rezultatin 2-1. Skuadra e drejtuar nga Murinjo arriti të shënojë me Adrianon dhe Stankoviçin, ndërsa për Milanin e Ançelotit golin e vetëm e shënoi Pato.

Në minutën e 29-të Adriano arrin të dërgojë topin e krosuar nga e djathta me dorë në rrjetë, gjë që nuk u vu re nga gjyqtarët e takimit. Ky gol erdhi si rrufe në qiell të hapur për Milanin, pasi deri në atë fazë të lojës ishin ata që po dominonin takimin. Si të mos mjaftonte goli me dorë i Adrianos, në minutën e 43-të është Dean Stankoviç që përshëndet për herë të dytë portën e Abiatit me një gjuajtje të shkëlqyer. Me këtë gol mbyllet edhe pjesa e parë e takimit.

Në pjesën e dytë Milani u vu që nga fillimi në kërkim të golit, por, mbrapa lëshoi shumë hapësira për interistët. Megjithatë, futbollistët e drejtuar nga Murinjo nuk i shfrytëzuan dot hapësirat e krijuara. Në minutën e 71-të Milani më në fund arrin të ngushtojë rezultatin me anë të Patos. Në minutat e mbetura heroi i Interit ishte portieri Hulio Sezar me pritjet e tij të jashtëzakonshme.

Megjithë rastet e krijuara nga skuadra e Milanit, Interi arriti të marrë një fitore të rëndësishme që e ngjit atë në kuotën e 56 pikëve, 11 më shumë se Milani i vendit të tretë dhe 9 pikë më shumë se Juventusi që është ndjekësi më i afërt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›