Milani, vend i tretë dhe Champions
Java e fundit në Serinë A ka dhënë verdiktet përfundimtare të këtij sezoni. Milani përmbush misionin kryesor: në ditën e lamtumirës së Maldinit dhe Ançelotit, ndoshta edhe të Kakasë, kuqezinjtë sigurojnë hyrjen direkte në Champions League. Me fitoren 2-0 në fushën e Fiorentinës, me gola të Kaka e Pato, "Djalli" e mbyll kampionatin në vendin e tretë, pas Juventusit që fitoi 2-0 përballë Lacios (dygolësh i Iakuintës). Skuadrës vjollcë nuk i mjaftoi guximi për t‘i "vjedhur" Milanit vendin e tretë dhe tashmë të besuarit e Prandelit duhet të luajnë në turin eliminator, të aktivitetit më prestigjioz për klube në kontinent. Pavarësisht lodhjes dhe përgatitjeve të ngjeshura, në Firence mund të ndihen krenarë për kualifikimin e dytë radhazi. Ashtu si u përmend më lart, Maldini i dha fund karrierës së jashtëzakonshme me një paraqitje mjaft të mirë. Me të drejtë, kapiteni i Milanit u largua nga fusha mes përgëzimeve të shokëve të skuadrës e lojtarëve të Fiorentinës, por edhe mes duartrokitjeve të tifozerisë. Edhe Bekham përshëndet kuqezinjtë, me shpresën se do të rikthehet në vitin 2010. Ndërkohë, ashtu si pritej në përfundim të ndeshjes, trajneri Karlo Ançeloti më në fund pranoi se vitin e ardhshëm nuk do të jetë në krye të stolit. "Këtu përfundon aventura ime shumë e bukur te Milani", tha tekniku. "Së bashku me klubin vendosëm ta mbyllim përpara kohe bashkëpunimin. U ndamë në mënyrë perfekte, vazhdoj ta dua këtë skuadër ku punova tetë vjet. Për të ardhmen nuk mund të them asgjë".