E Shtunë, 31 Tetor 2026

Internacionalja Socialiste sjell ekspertët, PS lobing në PE

03/02/2012  Reforma zgjedhore, socialistët kërkojnë asistencë teknike

Partia Socialiste kërkon ndihmën e Internacionales Socialiste për hartimin e reformës zgjedhore. Do të jenë pikërisht ekspertët e rekomanduar nga IS-ja ata që do të asistojnë në hartimin në detaje të projektit që Partia Socialiste do t’i propozojë kundërshtares së saj në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore. Ndërkohë pjesë e rëndësishme e kësaj pune është dhe sistemi zgjedhor, për të cilin socialistët duhet të përllogaritin në mënyrë të kujdesshme se cili duhet të jetë propozimi përfundimtar për ndërhyrjen në sistemin aktual. Nga ana tjetër, përveç kërkesës për asistencë teknike socialistët do t’i përqendrojnë përgatitjet e tyre dhe në krijimin e lobingjeve me faktorin ndërkombëtar, ku përmes socialistëve europianë do të synojnë “t’i imponojnë” mazhorancës qeverisëse të pranojë propozimet e saj për reformën zgjedhore.

Asistenca

Pranë Partisë Socialiste pritet të vijnë një grup ekspertësh për të asistuar në hartimin e propozimeve teknike dhe juridike lidhur me reformën zgjedhore. Burime nga selia rozë bënë me dije se ka qenë kërkesa e lidershipit socialist në adresë të Internacionales Socialiste që të mundësohej një asistencë e tillë. Më së shumti ndihma e ekspertëve të huaj mësohet të jetë pikërisht për ndërhyrjen në sistemin aktual zgjedhor, duke u adaptuar me realitetin shqiptar. Në këtë mënyrë, përpara se PS-ja të bëjë zyrtare propozimet e saj, do t’i duhet të presë dhe mendimin e ekspertëve. Vetëm pas përgjigjes që do të japin këta ekspertë PS-ja do t’i kërkojë konsensusin PD-së për reformën zgjedhore.

Qëllimi

Krahas asistencës së ekspertëve të huaj socialistët do të zhvendosin punën e tyre dhe në krijimin e lobingjeve në arenën ndërkombëtare. Kështu, përmes ndihmës së socialistëve evropianë lidershipi socialist do të synojë që të bëjë të mundur që nga bashkëpunimi dhe realizimi i reformës zgjedhore të varet dhe vlerësimi i Parlamentit Evropian lidhur me procesin integrues të vendit tonë. Për këtë arsye gjatë kësaj periudhe deputetë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste do të nisin kontaktet me drejtuesit e partive socialiste evropiane për të bashkërenduar një qëllim të tillë, i cili do të bënte të mundur arritjen e konsensusit mes PD-së e PS-së. Mësohet se përmes një lëvizjeje të tillë socialistët do të mund të bindin shumicën parlamentare për të pranuar kërkesat e PS-së.

Kreu i PS-së drejt Austrisë

Takime me socialistët austriakë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u nis dje drejt Austrisë së bashkua me një grup deputetësh socialistë, ku do të marrin pjesë në takimin “House of the European Union”, organizuar nga përfaqësues të Komisionit dhe Parlamentit Europian në Vjenë. Në këtë takim do të diskutohet për Shqipërinë dhe perspektivën evropiane. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme kreu socialist është takuar me anëtar të Partisë Socialiste austriake, ku diskutoi lidhur me situatën politike në Shqipëri, programin e ri të PS-së dhe bashkëpunimin mes dy grupeve parlamentare. Por Rama nuk mund të mos jepte impresionet e tij të shkurtra lidhur me takimet e zhvilluara dhe ato të pritshme në profilin e tij në “Twitter”. “Takim i ngrohtë dhe interes e gatishmëri e posaçme nga miqtë austriakë për të mbështetur programin tonë për një rilindje shqiptare. Funksionimi i demokracisë, taksa progresive, lufta me papunësinë e korrupsionin dhe reforma në arsim e shëndetësi në qendër të bisedës. Një orë mbresëlënëse me kancelarin Vranitcki për të shkuarën e të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit tonë. Shumë inkurajues për programin e PS!” - shprehej Rama në adresën e tij. “Nesër në orën 18:00 në ‘House of the European Union’ diskutim për Shqipërinë, rajonin dhe perspektivën tonë europiane. Diskutohet dhe libri ‘Kurban”, - ishin mesazhet e shkurtra të kryetarit të socialistëve në “Twiter” lidhur me takimet që zhvilloi, por dhe takimet që do të zhvillohen gjatë ditës së sotme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›