Rihapen 20 dosjet e vrasjeve të Tiranës
25/11/2004 TIRANË- Hetuesit e kryeqytetit rifillojnë shqyrtimin hetimor të 20 dosjeve, të cilat pak ditë më parë u kthyen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Tiranës. Burime zyrtare nga organi i hetimit në kryeqytet, thanë se ky institucion ka rihapur dosjet e disa vrasjeve të ndodhura vitet e fundit në Tiranë. Sipas institucionit të akuzës, rihapja e dosjeve është bërë ditët e fundit nga hetuesit e kryeqytetit, të cilët kanë marrë në duar dosjet që janë hetuar më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kur ligji ngarkonte këtë institucion me hetimin e krimeve, të cilat dënohen me më shumë se 15 vjet burg. Por me dekret të Presidentit të Republikës, ligji për Prokurorinë e Krimeve të Rënda ndryshoi, duke i lënë asaj juridiksion për të hetuar vetëm organizatat kriminale. Vrasje me paramendim dhe grabitje me armë. Këto janë veprat për të cilat hetohet në 20 dosjet e hapura ditët e fundit nga Prokuroria e Tiranës. Sipas burimeve zyrtare pranë këtij institucioni, dosjet e rihapura kanë të bëjnë me vrasjet e vitit të shkuar, të cilësuara edhe si “mafioze”, si ajo e Sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, Salih Tivari, Mirit të Xhikes apo Ledio Bejlerit. Organi i hetimeve thotë se rihapja e dosjeve kryhet pas kontrolleve të vazhdueshme të Prokurorisë së Përgjithshme. Këto verifikime janë urdhëruar nga Kryeprokurori Sollaku në mënyrë të vazhdueshme dhe kanë patur si qëllim, ushtrimin e një kontrolli edhe ndaj veprimtarisë së prokurorëve të thjeshtë, jashtë statistikave e raporteve mujore apo vjetore.