E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpoli Ekstradohet rivali i Lul Cakës, Martin Begaj

Autori i Lajmit: Redaksia

Policia e Shtetit ka ekstraduar nga Italia, Martin Begajn, rivalin e Lulzim Cakës. Burime zyrtare nga uniformat blu thanë se, rreth orës 17:30, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Milano, Itali, drejt vendit tonë i Martin (Manol) Sefedin Begaj, 31 vjeç, lindur në Samaticë, Berat. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin nr. 24, datë 15.03.2001, e ka dënuar atë me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale te “Vrasjes me paramendim“ dhe “Armëmbajtjes pa leje“, parashikuar nga nenet 78 dhe 278/2, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Martin (Manol) Begaj në datën 29 nëntor 1999, në fshatin Samaticë të Beratit, ka vrarë me armë zjarri Bardhok Cakën. Motivi i kryerjes së kësaj vepre penale ka qenë hakmarrja, pasi vëllai i viktimës, Lulëzim Caka, disa kohë më parë kishte vrarë Kastriot Begaj, vëllai i të ekstraduarit. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, në datën 04.10.2009, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit Martin (Manol) Begaj. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ai i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Ky lajm është publikuar: 30/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›