E Shtunë, 31 Tetor 2026

VIZITA Rasmusen jep arsyet pse nuk takoi opozitën

Autori i Lajmit: Redaksia
Pas takimeve të zhvilluara dje në Tiranë, Rasmusen ka dhënë edhe arsyen, se pse ai nuk ka takuar asnjë nga përfaqësuesit e opozitës. Rasmuesen ka deklaruar se nuk ka takuar liderët e opozitës pasi ata nuk janë në Kuvend. "Është e vështirë që ta takosh opozitën kur ajo nuk është në Parlament", -është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmusen. Gjithashtu Rasmusen theksoi se e inkurajon opozitën që të aktivizohet pozitivisht dhe aktivisht në jetën politike të vendit dhe të jetë e pranishme në Parlament. Ndërkohë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Rasmusen në një mesazh drejtuar qeverisë dhe opozitës theksoi se duhet të gjendet një mënyrë për tu angazhuar në parlament dhe theksoi rëndësinë madhe për konsensusin e gjerë në parlament dhe në shoqërinë shqiptare si një vend anëtar i NATO-s. Ndërkohë në lidhje me kontributin real të Shqipërisë në NATO, Rasmusen theksoi se një nga kontributet konkrete është se vendi ynë ka luajtur një rol të madh në Afganistan dhe se qeveria shqiptare i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së NATO- për një shtesë trupash dhe kjo është sipas tij është një kontribut konkret. Gjithashtu Rasmusen theksoi se një kontribut tjetër ka dhënë në arenën politike pasi me perspektivën euroatlantike ka luajtur një rol konstruktiv për stabilitetin në rajon.
Takimi
Sipas burimeve zyrtare, kryeministri Berisha mirëpriti në takim, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, zotin Anders Fogh Rasmusen. Pas takimit kokë më kokë me kryeministrin Berisha dhe bisedimeve mes dy delegacioneve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zoti Rasmusen dhe kryeministri Berisha dhanë një konferencë për shtyp për mediat e pranishme. “Unë, së pari, dëshiroj para jush të përshëndes përzemërsisht edhe një herë Sekretarin e Përgjithshëm në këtë vizitë historike të premtuar shumë vite më parë, në funksionin e kryeministrit të Danimarkës dhe të realizuar sot, në një moment historik, si vizita e parë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Shqipëri, pas anëtarësimit të saj në këtë Aleancë. Në këtë takim unë e njoha me të gjitha përpjekjet tona për të intensifikuar bashkëpunimin me Aleancën e Atlantikut të Veriut. E njoha me reformat që ka ndërmarrë dhe ndërmerr qeveria për të konsoliduar të gjitha institucionet, si dhe reformat e tjera që e bëjnë Shqipërinë një vend gjithnjë e më të mundshëm për të marrë rolin e saj modest, në Aleancën e Atlantikut të Veriut. E njoha zotin Rasmusen me reformat në ushtri, të cilat zhvillohen sipas një programi të mirëpërcaktuar, me vullnetin tonë, për të rritur praninë në Afganistan, në njësitë, me oficerë policie për të trajnuar oficerët e policisë afgane. Gjithashtu, e njoha me vendimin tonë për të zbatuar premtimin për të ndërtuar 8 shkolla të reja në këtë vend dhe ofruar bursa për 100 studentë”, -u shpreh Berisha.
Rasmusen
Gjatë konferencës për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, shprehu vlerësime për arritjet e vendit tonë gjatë këtij viti të parë në NATO. “Një vit më parë Shqipëria dhe Kroacia u bënë vende anëtare të NATO-s dhe unë shpresoj që të shikoj përparim në këtë drejtim, për të gjitha vendet e Ballkanit, në vitet që do të vijnë. Ne do të kemi një përparim të madh më 2010 në Afganistan dhe qëllimi ynë është që përgjegjësitë tu jepen vetë afganëve kur të krijohen kushtet. Prandaj është e rëndësishme që të trajnohen dhe të arsimohen ushtarët dhe forcat policore të Afganistanit. Unë i nxis të gjithë aleatët të japin kontributin e tyre dhe e çmoj shumë kontributin tuaj në këtë mision. Gjatë takimit diskutuam gjithashtu mbi situatën në rajon. Unë e mirëpres vendimin që ne morëm në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, në Talin, javën e kaluar, për ti ofruar Bosnje-Hercegovinës një plan veprimi për anëtarësim. Ky hap është një hap tjetër i rëndësishëm drejt integrimit të vendeve të rajonit në strukturat euroatlantike të NATO-s”, - u shpreh Rasmusen.

Ky lajm është publikuar: 30/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›