E Diel, 1 Nëntor 2026

Interpoli në kërkim të 4 fëmijëve të zhdukur

 

TIRANE – Prindërit e katër fëmijëve shqiptarë të zhdukur në dhjetë vitet e fundit i janë drejtuar organeve të drejtësisë dhe Interpolit pasi nuk kanë arritur t’i gjejnë privatisht personat e humbur. Fillimisht kërkimi i tyre është përqendruar brenda kufijve shqiptarë, si dhe në Kosovë, por policia nuk ka rënë në gjurmët e asnjërit prej tyre. Pas të gjitha përpjekjeve për gjetjen e tyre, drejtësia shqiptare i është drejtuar Interpolit. Zyra qendrore e Interpolit në Lion të Francës, tashmë ka skeduar në listën e gjatë të personave në kërkim, edhe emrat, të dhënat dhe fotot e 4 minorenëve shqiptarë. Ata nuk kërkohen për asnjë lloj krimi, por për t’i gjetur dhe për të zbuluar personat që mund t’i kenë zhdukur apo abuzuar me ta. Fëmijët shqiptar, më i vogli prej të cilëve është 8 vjeç dhe më i madhi 15 vjeç, prej disa vitesh janë konsideruar të zhdukur nga familjet e tyre dhe tashmë janë shpallur në kërkim në të gjithë botën. I pari në këtë listë është një djalë vetëm 8 vjeç dhe që quhet Armend Aliaj. Ai është nga fshati Sopi i Prizrenit të Kosovës. Armendi është zhdukur më 11 dhjetor të vitit 2007, kur ka qenë 6 vjeç. Për herë të fundit ai është parë në fshatin Sopi të Prizrenit. Që nga ai moment familja e tij nuk ka marrë asnjë lajm për fatin e djalit të tyre të vogël. Fëmija i dytë është një djalë 13-vjeçar. Ai quhet Artur Carja dhe është nga Elbasani. Prindërit e tij nuk e kanë parë më që kur ka qenë 8 vjeç, në momentin kur ai është zhdukur më 7 korrik të vitit 2004. Të njëjtin fat ka pasur edhe një 14-vjeçar nga Berati. Rafael Kurti është larguar nga shtëpia e tij dhe nuk është parë. Ai është zhdukur 2 vite më parë, kur ishte vetëm 13 vjeç. Ndërkohë një fëmijë tjetër që është shpallur në kërkim është edhe Lirim Bodini. Ai është 15 vjeç, por familjarët e tij nuk e kanë parë që prej shkurtit të vitit 2007, kur ai ishte 13 vjeç. Lirim Bodini është nga fshati selishtë i Dibrës. Të gjitha të dhënat e tyre personale, edhe pse tiparet e tyre tashmë mund të kenë ndryshuar, i janë dorëzuar zyrës qendrore të Interpolit, nga Interpol-Tiranë. Gjithashtu, drejtësia shqiptare i ka siguruar Interpolit edhe foto e fëmijëve, në mënyrë që të zbulimi i tyre të jetë më i shpejtë. Ende askush nuk ka rënë në gjurmët e tyre. Dyshimet më të mëdha të policisë, lidhen me faktin se ata mund të jenë trafikuar jashtë shtetit, për t’u shfrytëzuar me qëllime fitimi.                     e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›