Sejdiu: Vullnet për marrëdhënie të mira me fqinjët
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur vullnetin e Kosovës për të pasur marrëdhënie të mira me vendet fqinje, edhe me Maqedoninë, me të cilën ka pasur një incident të dyfishtë diplomatik. Ai tha se Kosova po gëzon mbështetje të fuqishme ndërkombëtare në shtetndërtimin e saj dhe se pret njohje të reja. Sipas Sejdiut, institucionet e Kosovës po punojnë me përkushtim për krijimin dhe forcimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore. Paralajmërimin e Serbisë se do të bëjë fushatë kundër pavarësisë së Kosovës, presidenti Sejdiu e komentoi se, “Serbia le të vazhdojë me të vetën, me një qëndrim të çuditshëm deri më tani dhe absolutisht e kundërt me frymën ndërkombëtare”, tha Sejdiu. Duke komentuar marrëdhëniet me vendet fqinje që nuk kanë qenë në lartësinë e dëshiruar, presidenti Sejdiu tha se nuk flitet për jo-normalizim të tyre. Pas deklaratave mediatike në Maqedoni se BE-ja ka kërkuar që Kosova të normalizojë marrëdhëniet ndërfqinjësore me Maqedoninë, si dhe spekulimet e fundit se Maqedonia do ta tërheqë njohjen e Kosovës-shtet, Sejdiu tha se “ne nuk kemi de-normalizim të marrëdhënieve. Mund të jenë sekuenca të caktuara për të cilat natyrisht ekziston përgjigjja, por për ne është me rëndësi të vazhdojmë qasjen tonë për marrëdhënie të mira dhe është e përbashkët e politikave evropiane që vendet e fqinjësisë të kenë raporte më të mira. Unë nuk besoj se mund të ketë aso ndjenje, ajo pse ka ndodhur një përgjigje e imja për mos shkuarje për vizitë zyrtare, ka qenë pikërisht për shkak të shmangies nga karakteri i vizitës”, theksoi ai.
Qëndrimi i Thaçit
Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka vlerësuar raportet e Kosovës me vendet fqinje si të shkëlqyera. Ai shprehu dëshirën që shteti i Kosovës të ketë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë.
“Ne jemi duke ndërtuar raporte të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje, me shtetin e Maqedonisë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Janë raporte korrekte konstruktive të respektit të ndërsjellët ndërshtetërorë. Ne nuk përfshihemi në çështjet e brendshme të asnjë vendi dhe pretendojmë që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore edhe me Serbinë, dhe në të ardhmen tonë si shtete të veçanta që të kemi integrim në strukturat e BE-së dhe në NATO”, tha Thaçi.