E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbimi i 18-vjeçarit, oficeri në gjyq me grupin e pengmarrësve

 

TIRANE – Një oficer policie së bashku me gjashtë persona të tjerë, banorë të kryeqytetit, dërgohen të pandehur në Gjykatë për akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë”. Robert Luzi, oficer i policisë, së bashku me Armand Dishën, Armando Durishtin, Endrit Qordjen, Ernaldo Manxhakun, Florian Teqjan dhe Klodjan Cakmashi, janë të pandehur në dosjen penale nr.1277 e cila është dërguar në Gjykatën e Tiranës. Hetimet e prokurorisë nisën më 4 shkurt 2009, kur shtatë personat e akuzuar morën peng një person në Tiranë duke e mbajtur me forcë për disa orë në periferi të kryeqytetit. Banorë të zonës pranë Urës së Farkës, të cilët kishin parë skenën e rrëmbimit, i telefonuan policisë mbrëmjen e 5 shkurtit 2009. Forcat e rendit u vunë në ndjekje të autorëve të ngjarjes, të cilët u arrestuan disa orë më pas. Sipas hetimeve, Klevis Kadiu është rrëmbyer dhe futur me dhunë në makinën “Land Rover” me targa TR 3060 M, rreth orës 14:00. Sapo kanë marrë telefonatën që lajmëroi për ngjarjen, oficerët e sallës operative ua kaluan shërbimeve të policisë në terren, targën e makinës së dyshuar. Hetimet zbuluan se makina drejtohej nga i dyshuari Endrit Qordja, 18 vjeç, i cili ka përdorur në fakt makinën e babait të tij për të realizuar pengmarrjen. Pas ndjekjes për disa minuta, policia ka arritur makinën ku ndodhej pengu, tek Ura e Farkës, dhe i ka kërkuar drejtuesit të ndalonte mjetin dhe të hapte krahun. Sipas procesverbalit të arrestimit të personave të dyshuar, në vendin e parë të makinës ku ndodhej pengu, qëndronte Robert Luzi, 22 vjeç, oficer i policisë së kryeqytetit. Ai u ka thënë kolegëve të tij që ndaluan makinën, se ishte efektiv i komisariatit nr.4. Në sediljet e pasme të mjetit të pengmarrësve, sipas policisë ndodheshin Armando Disha, 24 vjeç, Ernaldo Matraxhi, 18 vjeç dhe pengu Klevis Kadiu. Policia rrugore e cila kishte ndaluar mjetin, nuk është tërhequr ndërkohë drejt vendit të ngjarjes ishin nisur shërbime të tjera shtesë që bënë ndalimin e autorëve të pengmarrjes. Pas shoqërimit në komisariat të personave që ndodheshin në makinë, Klevis Kadiu ka deklaruar se ishte rrëmbyer me forcë nga autorët e ngjarjes. Pengu ka pohuar se ka pasur konflikt personal me njërin nga rrëmbyesit. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›