E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista, tetë shqiptarë të kërkuar fshihen në Angli

 

Policia angleze ka nisur dje një operacion të koduar “Infra” për kapjen e 16 personave në kërkim, nga Evropa Lindore, të cilët dyshohet se fshihen në Britaninë e Madhe. Mes personave super të kërkuar, janë edhe tetë shqiptarë, të cilët janë dënuar në mungesë dhe janë shpallur në kërkim për vepra të rënda penale, kryesisht vrasje, trafik droge e armësh dhe shfrytëzim prostitucioni. Sipas burimeve nga Interpoli mësohet se homologët anglezë kanë kërkuar informacionin për shqiptarët e kërkuar, të cilët tashmë janë skeduar në listën e më të kërkuarve në Angli. Në të përditshmen britanike “Daily Mail”, u publikuan dje të gjitha të dhënat e 16 personave më të kërkuar aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas të përditshmes, shumica e këtyre kriminelëve janë shqiptarë dhe jetojnë në Angli me identitete të rreme, madje policia vendase hedh dyshime se ata mund të jenë pjesë e organizatave kriminale që janë ekzistuese atje. Përveç të dhënave të siguruara nga policia britanike dhe operacionit që tashmë ka nisur për kapjen e tyre, autoritetet vendore kanë shpërndarë edhe pankarta dhe kanë ngjitur postera me fotografitë e tyre. Sipas mediave anglezë kjo nismë është marrë për t’i informuar edhe qytetarët, si dhe për të kërkuar ndihmën e tyre, nëse ata kanë informacione rreth personave të kërkuar.
Shqiptarët e kërkuar
Disa javë më parë në mediat britanike, por edhe në ato shqiptare u përfol për shqiptarët e kërkuar nga drejtësia, të cilët përfitonin azil në Angli dhe nuk ekstradoheshin në Shqipëri. Një numër relativisht i lartë shqiptarësh u tha se strehoheshin në Mbretërinë e Bashkuar, në një kohë që ishin të skeduar nga Interpoli si persona në kërkim. Pas kësaj pati edhe një kërkesë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi, drejtuar ministrit të Brendshëm Britanik, Coaker, i cili premtoi se të gjithë shqiptarët e kërkuar do të ekstradohen. Pas një periudhe pushimi rreth kësaj çështje, duket se policia Britani e ka rihapur, madje duke kërkuar edhe ndihmën e Interpolit shqiptar. Dje në Angli nisi operacioni “Infra”, për arrestimin e 16 personave super të kërkuar, mes të cilëve ndodhen edhe 8 shqiptarë. Të kërkuarit shqiptarë janë të dënuar në mungesë për vrasje, shfrytëzim prostitucioni, trafik droge dhe grabitje me armë. Sipas burimeve nga policia, shqiptarët që po kërkohen aktualisht edhe në Britani janë: Durim Gremaj, 35 vjeç, nga Fieri, Agim Kabashi, 39 vjeç, nga Kukësi, Xhevat Kaca, 33 vjeç nga Librazhdi, Sherif Murati, 41 vjeç, nga Fieri, Nikollaq Naçi, 44 vjeç, nga Fieri, Dritan Shkurti, 33 vjeç, nga Kurbneshi, Shaqir Ziko, 28 vjeç, nga fshati Prishtë i Skraparit dhe Gentian Doda, i dënuar në mungesë për vrasje të dyfishtë.                   e.d

Të kërkuarit në Angli

1. Durim Gremaj, i dënuar me 15 vjet burg për përdhunim
2. Agim Kabashi, i kërkuar për trafik fëmijësh dhe shfrytëzim prostitucioni
3. Xhevat Kaca, i kërkuar për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni
4. Sherif Murati, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje në vitin 1997
5. Nikollaq Naçi, i dënuar me 13 vjet burg për trafik droge dhe armësh
6. Dritan Shkurti, i dënuar me 22 vjet burg për vrasje në vitin 1998
7. Shaqir Ziko, i dënuar me 12 vjet burg për grabitje
8. Gentian Doda, i dënuar në mungesë për vrasje të dyfishtë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›