E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet kryeplaku i Komanit, nuk denoncoi kanabisin në fshat

 

SHKODER - Pranga kryeplakut të "Bjeshkëve të Komanit". Indiferenca e treguar në denoncimin pranë organit të policisë, në lidhje me identifikimin e sipërfaqeve të mbjella me kanabis në fshatin Temal ku dhe është kryeplak, i ka kushtuar vënien nën pranga Josif Gjonejt dhe vëllait të tij, Aleks Gjonej. Akuza e ngritur ndaj kryeplakut është "shpërdorim detyre" dhe "moskallëzim krimi", pasi ai nuk kishte bërë denoncim se në territorin e fshatit të tij kishte bimë kanabis të kultivuara. Ndërkohë që policia ka prangosur edhe vëllanë e kryeplakut, pasi në një sipërfaqe toke fare pranë asaj të familjes Gjonej, policia kishte zbuluar se ishin kultivuar rreth 600 rrënjë kanabis, si dhe gjeti një pompë uji me të cilën mendohet se ishte ujitur bima narkotike. Sikurse pohojnë burimet zyrtare pranë policisë së Shkodrës paraditen e djeshme është vënë në pranga shtetasi Josif Gjonej 47 vjeç kryeplak i fshatit Koman. Sipas policisë arrestimi i shtetasit Josif Gjonej u bë pasi duke qenë kryeplak i fshatit Koman nuk ka bërë denoncim në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike në fshatin e tij. E aq më tepër kur kjo lëndë është zbuluar nga uniformat blu e mbjellë në 3 parcela, që ishin fare pranë tokës së familjes Gjonej. Në të njëjtën kohë policia ka prangosur dhe vëllanë e kryeplakut shtetasin Aleks Gjonej, 34 vjeç, pasi pak metra larg shtëpisë së tij, në vendin e quajtur "Bjeshkët e Komanit", në territorin e fshatit Koman janë gjetur tre parcela të mbjella me bimë narkotike, të cilat pasi u shkulën u asgjësuan me anë të djegies. Gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e policisë në shtëpinë e Aleksit policia ka zbuluar dhe më pas edhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pompë uji, e cila mendohet se përdorej për të ujitur bimët nëpërmjet lumit Drin deri tek parcelat e mbjella me lëndë narkotike.                       r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›