E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista Ilir Beqja: “Nuk do dalim me turp nga çadrat por me nder”

Autori i Lajmit: Redaksia

Gjatë një interviste për gazetën “Ballkan” deputeti socialist Ilir Beqja i cili ndodhet në ditën e gjashtë të grevës së urisë u shpreh se “ne nuk dalim me turp nga ketu ku jemi por do të dalim me nder. Në një vizitë në ambjentet e çadrave që qëndrojnë të ngritura pranë kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën ku që prej gjashtë ditësh janë në grevë urie 22 deputetë e 180 qytetarë ajo që të bënte më tepër përshtypje ishte vendosmëria dhe morali i lartë që ata kishin. Të gjithë me një kërkesë “Të hapen kutitë ose të largohet Berisha” i mbante ata të bashkuar në një strehë në krevatë të shtrirë dhe me shpresën se shumë shpejt do të gjendet një zgjoidhje. Deputeti socialist Ilir Beqja tregon për “Ballkan”.
Z. Beqja kanë kaluar pesë ditë dhe ju vazhdoni të qëndroni këtu deri në zgjidhjen e kësaj situate. Cilat kanë qënë problemet tuaja shëndetësore?
Situata sa vjen dhe po ndërlikohet. Deri tani nuk kam pasur probleme shumë serioze me shëndetin por sigurisht mungesa e ushqimit ka sjellë çrregullime. Kam pasur luhatje të tensionit dhimbje barku por shërbimi shëndetësor ka qënë i pranishëm në këto ambjente.
Sa do vazhdoni të qëndroni në grevë urie?
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në grevë urie deri sa ti jepet një zgjidhje përfundimtare kësaj krize. Ne këmbëngulim në hapjen e kutive ose largimin e kësaj qeverie. Jemi më të vendosur se kurrë që nuk do të dorëzohemi deri në një rrugëzgjidhje. Nuk mund të dalim me turp nga këtu por do të dalim me nder.
Si e kaloni ditën dhe natën këtu?
Mundohemi që të lëvizim sa më pak që mos kemi shumë çrregullime me tensionin. Dita është e nxehtë për shkak të vetë çadrave kurse nata është e ftohtë por që kemi marë masat për një sistem ngrohjeje.
Cila mendoni se do të jetë zgjidhja?
Zgjidhje ka vetëm një hapja e kutive ose largimi i kësaj qeverie. Ne kemi mbështetjen e gjithë popullit sepse varfëria e tyre është e skajshme.
Si ka ndikuar sipas jush kriza politike ne krizën ekonomike. Mos ndoshta maxhoranca po mbulon krizën ekonomike duke zvarritur krizën politike?

Kriza politike buron nga mungesa e vullnetit të mazhorancës për të pranuar hetim të procesit zgjedhor 2009. Por shtrembërimi i vullnetit të zgjedhësve u parapri me shpërdorim të buxhetit të shtetit në gjysmën e parë të vitit 2009. Ndërsa në gjysmën e dytë të vitit 2009, kur efektet e krizës u bënë më të ndjeshme, Sali Berisha u përpoq të fshehë krizën ekonomike sepse nuk ishte i zoti të përballonte edhe krizën politike, edhe krizën ekonomike. Pa dyshim që Sali Berisha është mastar në demagogji, por gjykoj se shqiptarët konsumatorë, sipërmarrës apo investitorë e ndjejnë vetë për ditë se sa e vështirë është të jetosh, të gjesh punë, të investosh apo të bësh biznes. Tashmë ska më kthim mbrapa. Nuk mund ta quaj krizë politike por moment kritik.
Ky lajm është publikuar: 06/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›