E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti i Stambollit, Topi apel të huajve për investime

Autori i Lajmit: Redaksia

Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar, mori pjesë dje paradite në fillimin e punimeve të Samitit XIII Ekonomik Euroaziatik që po të zhvillohet në datat 5-7 maj në Stamboll. Pas ceremonisë së hapjes, ekzekutimit të himnit kombëtar turk dhe prezantimit vizual të këtij Samiti të rëndësishëm euroaziatik, që organizohet nga Fondacioni Marmara dhe në të cilin marrin pjesë kryetarë shtetesh dhe qeverish, ministra, kryebashkiakë, drejtues të dhomave të tregtisë dhe industrisë së vendeve që lagen prej Detit të Zi dhe më gjerë, Kreu i Shtetit shqiptar iu drejtua me një fjalë përshëndetëse punimeve të sesionit të parë të këtij forumi ekonomik gjithëpërfshirës. Në fjalën e tij, presidenti Topi theksoi se “ky Samit mbahet në kushtet e krijuara nga efektet e krizës financiare dhe ekonomike botërore, që ka prekur rajonet që shtrihen në lindje dhe në perëndim të detit Marmara, duke dëshmuar se në një botë që globalizohet përditë e më shumë, fatet tona janë të përbashkëta e pikërisht për këtë jo vetëm përgjegjësitë, por sidomos rrugët për të përballuar sfidat, për të parandaluar rreziqet dhe për të përmirësuar ekonomitë tona nuk mund të jenë më individuale”.

Ky lajm është publikuar: 06/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›