E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihmë ekonomike për familjet e përmbytura

Autori i Lajmit: E.D
Të gjitha familjet që janë prekur nga përmbytjet si pasojë e shkarkimeve të ujërave të hidrocentralit të Fierzës, do të përfshihen urgjent në skemën e ndihmës ekonomike. Udhëzimi i ri i Shërbimit Social Shtetëror u është shpërndarë të gjitha zyrave rajonale të shërbimit social në njësitë vendore të mbarë vendit. Sipas burimeve zyrtare nga Shërbimi Social Shtetëror, një ekip pune i kryesuar nga drejtori i Përgjithshëm, Mihal Naço, po inspekton familjet e dëmtuara në zonat e përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit në zonat e përmbytura të prefekturës së Shkodrës. “SHSSH do të ofrojë trajtim të menjëhershëm me ndihmë ekonomike për familjet e dëmtuara nga fatkeqësia, si dhe asistencë e sistemim të shpejtë për fëmijët në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuar, në institucionet e përkujdesit social publik në varësi të SHSSH-së”,- u shpreh dje drejtori i SHSSH-së, Mihal Naço. Sipas tij, fondi i akorduar për ndihmën ekonomike është i mjaftueshëm për futjen në skemë të këtyre familjeve të reja, të cilat në fillim të vitit të ri po rrezikohen nga një katastrofë natyrore, e cila u ka shkatërruar gjithë ekonominë familjare dhe po u rrezikon deri dhe jetën.
Kështu familjet e përmbytura do të trajtohen me ndihmë ekonomike njëlloj si personat në nevojë dhe të papunë. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 2,986 lekë, ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 3,798 lekë në muaj. Paga minimale me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 995, datë 02.07.2008 “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi” është 17,000 lekë. Niveli bazë i pagesës së papunësisë me VKM Nr. 236, datë 27.02.2008 është 5,980 lekë. Në skemën e ndihmës ekonomike për vitin 2010 është thënë se do të shtohen kategori të reja përfituese. Fondi për këtë skemë, do të jetë më i lartë, ndërkohë që do të shtohen monitorimet e rrepta nga institucionet përgjegjëse për të hequr nga skema familjet abuzuese. “Në qoftë se për vitin 2007 janë alokuar për fondet ndihmën ekonomike 2.6 miliardë lekë, për vitin 2010 kjo shifër dyfishohet dhe arrin në 5.2 miliardë lekë. Gjithashtu parashikohet që në vitin 2011 të arrijë në 6.2 miliardë lekë dhe në vitin 2013 të arrijë në 6.8 miliardë. Ndonjëherë janë interesat klienteliste të anëtarëve të këshillave komunale ose bashkiake të cilat fusin në skemën e ndihmës ekonomike përfitues të cilët nuk duhet të jenë në këtë skemë,” ka thënë Mihal Naço gjatë një deklarate për shtyp. Po ashtu drejtori i Shërbimit Social Shtetëror ka theksuar se skemës së ndihmës ekonomike, do ti shtohet edhe paketa ushqimore nga e cila do të përfitojë çdo familje në nevojë. Kjo do të jetë një paketë e cila do të jepet në formë të një kuponi për familjet ekstremisht në nevojë dhe do të jepet një herë në 3 muaj, 4 herë në vit, me 2500 lekë për familje. Aktualisht në vendin tonë janë rreth 94 mijë familje që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Deri në vitin 2013 parashikohet që ky numer të reduktohet në 70 mijë familje çka tregon dhe një ulje të nivelit të varfërisë në vend.

Mjekët, 24 orë në shërbim, uji i pijshëm, i ndotur

Në vazhdën e masave të marra për banorët e zonave të përmbytura, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka vendosur shërbim 24 orë në fshatrat e dëmtuar nga reshjet e ditëve të fundit. Një grup pune nga ISKSH ka vizituar dje tri komunat e përmbytura në zonën e Shkodrës: atë të Dajçit, Anës së Malit dhe Gurit të Zi, për të parë nga afër gjendjen dhe nevojat për medikamente në këto zona. Sipas mjekut të ISKSH-së, Gazmend Koduzi, i cili ndodhet në terren, është vendosur shërbim i pandërprerë në këto komuna me anë të një grafiku të përcaktuar nga ISKSH në bashkëpunim me qendrat shëndetësore të katër fshatrave të këtyre komunave. Sipas mjekut Koduzi, për të mbuluar shërbimin 24 orë, janë caktuar edhe mjekë të zonave përreth për të qenë të pranishëm në këto qendra shëndetësore në rast nevoje të banorëve të këtyre zonave. Sa u takon medikamenteve, sipas ISKSH-së, qendrat shëndetësore janë të pajisura me të gjithë setin e medikamenteve të emergjencës, i nevojshëm në këto raste. Gatishmëria e mjekëve është maksimale edhe për pacientët e sëmurë kronikë për të cilët nuk është ndërprerë në asnjë moment mjekimi i përditshëm. Në fshatin Obot të komunës Anë e Malit, mjeku Ilir Laçej ka shpërndarë vetë ilaçet me rimbursim tek banorët e përmbytur, duke i arritur ata në shtëpitë e tyre me varkë. Edhe spitalet janë në gatishmëri të plotë për situatën e krijuar nga reshjet e shumta të ditëve të fundit. ISKSH do të vijojë të ketë gatishmërinë maksimale, duke dhënë shërbim të pandërprerë për këta banorë. Lidhur me situatën në zonat e përmbytura të qarkut Shkodër dhe Lezhë, Ministria e Shëndetësisë raportoi dje për gjendjen në këto zona. Në komunën Obot, gjatë ditës së djeshme vazhdoi shërbimi mjekësor 24-orësh dhe është bërë i mundur transportimi i një pacienti me probleme kardiake. “Nuk ka rritje të sëmundshmërisë dhe me rekomandim të shtabit të emergjencës, është vendosur që stafi mjekësor të qëndrojë në QSH Oblikë, në gatishmëri për problemet shëndetësore. Stafi mjekësor, gjatë gjithë ditës së djeshme, ka lëvizur me mjete lundruese të emergjencave civile, për në shtëpitë e pacientëve”, raportoi dje Ministria e Shëndetësisë. Në komunën Dajç, gjatë ditës së djeshme situata ka ardhur vazhdimisht duke u vështirësuar. Eshtë ofruar shërbim mjekësor 24-orësh, një mjek dhe dy infermierë dhe gjithashtu gjatë gjithë kohës ka pasur në gatishmëri një autoambulancë, kështu që është bërë i mundur transporti për në Spitalin Rajonal të Shkodrës i dy pacientëve me probleme kardiake. Në orët e mbasdrekës është bërë evakuimi i shumicës së popullatës, si dhe është vendosur që, stafi mjekësor dhe një autoambulancë, të qëndrojë në rrugën kryesore të hyrjes për në komunën e Dajçit, mbasi tashmë kjo zonë është e përmbytur. Në komunën Guri i Zi, gjendja nuk ka qenë problematike, vazhdon shërbimi mjekësor 24 orësh.

Strehimi
Në fshatin Renc, të komunës Guri i Zi, në një repart ushtarak, janë strehuar rreth 55 romë, banorë endacakë të cilët kohët e fundit kanë jetuar në një lagje periferike të Shkodrës, buzë liqenit, banesat e të cilëve janë përmbytur me ujë. Eshtë inspektuar reparti ushtarak, dhe mjekja e kësaj zone ka bërë edhe kontrollin mjekësor për këto persona, nga ku rezultoi se rreth gjysma e tyre ishin fëmijë dhe shumica prej tyre me infeksione të rrugëve të sipërme respiratore, për të cilët u pa e domosdoshme fillimi i mjekimit me antibiotikë. Mjekimi i nevojshëm për këto pacientë u bë i mundur falë një OJF me qendër në Shkodër (Malteser), e cila u përgjigj menjëherë nevojave. Gjithashtu u bë e mundur edhe transporti me një autoambulancë e një pacienteje shtatëzënë me apendicit akut. Për momentin gjendja është nën kontroll. Pranë murgeshave, në fshatin Shtoj është bërë e mundur akomodimi edhe i pjesës tjetër të këtij komuniteti (rreth 75 gra dhe fëmijë). Gjithë fëmijët e këtij komuniteti endacak janë të pavaksinuar, dhe është menduar tu bëhet një dozë e pentavalentës.

Shkodër
Lidhur me situatën në zonat e përmbytura të Qarkut Shkodër dhe Lezhë, Ministria e Shëndetësisë raportoi dje për gjendjen në këto zona. Në Komunën Obot, gjatë ditës së djeshme vazhdoi shërbimi mjekësor 24 orësh dhe është bërë i mundur transportimi i një pacienti me probleme kardike. Në Komunën Dajç, gjatë ditës së djeshme situata ka ardhur vazhdimisht duke u vështirësuar. Eshtë ofruar shërbim mjekësor 24 orësh, një mjek dhe dy infermierë dhe gjithashtu gjatë gjithë kohës ka patur në gadishmëri një autoambulancë. Në Komunën Guri i Zi, gjendja nuk ka qenë problematike, vazhdon shërbimi mjekësor 24 orësh.

Velipojë
Në Komunën Velipojë, është kryer inspektimi i saj, nga ku rezulton se janë të rrethuar nga uji shumë familje në fshatrat Rrjoll, Baks dhe Galiq. Menjëherë janë marrë masa që edhe kjo zonë të ketë shërbim mjekësor 24 orësh dhe për momentin, situata është nën kontroll. Në Komunën Beltoj vazhdon shërbimi mjekësor 24 orësh dhr nuk ka patur probleme nga ana mjekësore. Nndërsa përsa i përket ujit të pijshëm, personeli shëndetësor në zonë vazhdon të shpërndaje mesazhe për mospërdorimin e ujit të pijshëm por vetëm ujë të zier, ose të blihet në treg.

Lezhë
Qendrat shëndetësore vazhdojnë të jenë në funksion normal. Dje është bërë një takim i zgjeruar me gjithë mjekët e familjes në rreth dhe veçanqrisht vqmendja u përëqndrua tek mjekët që shërbejnë në zonat e përmbytura. Edhe sipas inspektimit të kryer nga ekipi i DRSHP situata është krejt normale. Tashmë në Lezhë nuk ka më probleme që mund të quhen “situatë e rënduar apo problematike”. Megjithatë, do të vazhdojë monitorimi dhe investigimi i situatës deri në normalizim të plotë të saj. Ndërsa uji i pijshëm konstatohet i papërdorshëm për pirje. Personeli shëndetësor në zonë vazhdon të rekomandojë banorët për mospërdorimin e ujit të pijshëm, por vetëm ujë të zier, ose të blihet në treg.

Ky lajm është publikuar: 08/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›